Surroi harron se kishte përdorur termin “Zajednicë”, denoncon fjalën “Zdravo” të opozitës
Në Kuvendin e Kosovës, dy deputete të PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe Filloretë Zejnullahu, kanë realizuar një aksion simbolik në seancën e sotme, duke vendosur fjalët “Zdravo” në foltoren e Kuvendit dhe në vendin ku ulet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
E pas tyre, fjalën serbe “Zdravo”, që në shqip do të thotë “përshendetje”, e përdori edhe Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
“Zdravo Albin” – ishte përshëndetja hyrëse Gashit për kryeministrin Kurti.
E ky aksion simbolik i dy deputeteve të PDK-së dhe përshëndetja e Gashit me “zdravo” ndaj Kurtit, duket se i ka penguar shumë zonjës Flaka Surroi, gazetare dhe opinioniste e njohur. Ajo shkroi në profilin e saj një status, që më shumë ishte kumtim i një të vërtete. Surroi shkroi se serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë, fjali e cila shpërfaq më shumë një “padurim” ndaj përdorimit të termit “zdravo”.
“Sa për rikujtim, serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë, që nga 2006-a, ligj i cili është konfirmuar më 2008-n, nga Kuvendi që shpalli pavarësinë.” – shkroi ajo.
Në shikim të parë dhe jashtë kontekstit historik, ky shkrim nuk ka asgjë jokorrekte. Është faktike që serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë.
Por kur futet në ekuacion konteksti historik, atëherë ky interpretim i zonjës Surroi del të jetë hipokrit, ngase personalisht zonja Surroi ka përdorur terme serbisht në kontekste pezhorative. Ajo në disa raste, përfshirë statuse në Facebook dhe dy opinione, e ka përdorur termin Zajednicë, që ishte term i përdorur politikisht nga LVV-ja.
Në vitin 2020, Surroi shkruante se Zajednica është rezultat veç i Hashim Thaçit, ish-kryeministër dhe ish-president i Kosovës. Madje, ajo e akuzonte se Thaçi e ka negociuar, nënshkruar e shtyrë me zor ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Brukselit.
“Hashim Thaçi e ka negociuar, e ka nënshkruar dhe në fund e ka shtyrë me zor ratifikimin e Marrëveshjes “historike” të Brukselit që e ka legalizuar “republikën serbe në Kosovë”, qysh po ka qejf tash me i thënë.
Në këtë shtegtim, i ka ndihmuar Isa Mustafa me marrëveshjen e 2015-s. Porse Zajednica është rezultat veç i Thaçit.” – shkruante zonja Surroi.
Në fund, zonja Surroi e përfundonte shkrimin sërish me konstatimin se Zajednica (pra Asociacioni) është dhuratë kryekëput e Thaçit.
“Të çohesh e të flasësh për “takimin e rrezikshëm në Bruksel, ku do të mund të jetësohet republika serbe në Kosovë” është shpëlarje duarsh dhe është tepër e ulët në raport me popullin.
Zajednica është dhuratë, kryekëput, e Hashim Thaçit!” – vazhdonte postimi i Surroit.
Ndërsa në një opinion të vitit 2022, të titulluar “Inati, supersporti kosovar”, Surroi sërisht e përdorte termin Zajednicë.
“Kronologjia e Zajednicës u është e njohur edhe atyre që kanë votuar e që ende janë të ulur në Kuvend; e edhe atyre që tash merren me media, universitete e punë të tjera jashtë Kuvendit.” – shkruante në hyrje të shkrimit Surroi që u publikua më 22 tetor 2022.
Surroi e përdorte termin Zajednicë, term që shënjonte në mënyrë negative Asociacionin e komunave me shumicë serbe, edhe ne një shkrim tjetër të titulluar “Viti i nis me të vjetrat”.
“Sesi do të bëhet dhe nëse do të bëhet Zajednica, mbetet të shihet. Porse është absolutisht jokorrekte, joparimore dhe larje-duarsh hipokrite kur i dëgjon opozitarët duke e fajësuar këtë Qeveri për të. Lehtë është fajin ta hedhësh te tjetri, e vështirë të pranohen gabimet. E po të kishin fuqinë dhe guximin edhe intelektual, edhe politik, opozitarët do të duhej të bashkoheshin në një front të përbashkët me Qeverinë, për ta zgjidhur këtë dhe çështjen e negociatave të stërzgjatura me Serbinë. Por gjasat janë se kjo nuk do të ndodhë, për shkak se pushteti është tepër joshës për shefat e partive opozitare, sidomos për përmbushjen e sedrave personale…” – shkruante ajo.
