Supremja i liron nga paraburgimi të akuzuarit kryesorë për dallavere me subvencione
Shtatë nga të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1” nuk do të jenë më në paraburgim. Vendimin për lirimin e tyre nga arresti e ka marrë Gjykata Supreme, duke ua zëvendësuar këtë masë me atë të paraqitjes në Polici. Kjo pasi Supremja ka vlerësuar se nuk ka arsye që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim. Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e Gjykatës Supreme, i cili është marrë nga trupi gjykues i Supremes, i kryesuar nga Valdete Daka.
Luan Statovci, Salih Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj e Pajtim Krasniqi, janë shtatë emrat e personave të akuzuar në rastin “Subvencionet 1” që janë liruar nga paraburgimi. Kjo masë, atyre u është zëvendësuar me paraqitje në stacionin më të afërt policor. Në vendimin e Gjykatës Supreme të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, jepen arsyet pse është marrë ky vendim.
Aty përmendet edhe fakti që paraburgimi si masa më e rëndë është i panevojshëm aktualisht, pasi që nuk ekziston rreziku që të pandehurit ta përsëritin veprën penale, apo të tentojnë të ndikojnë në procedurë. Kjo, pavarësisht se disa prej këtyre që u liruan nga paraburgimi, janë si të dyshuar kryesorë për dallaveret me Subvencione me të cilat buxheti i Kosovës, është dëmtuar më shumë se 650 mijë euro.


“Në rastin konkret nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit, e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurit e tjerë si masë më e rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Nga shkresat e lëndës rezulton se nuk ka ndonjë rrethanë konkrete apo të posaçme e që tregon se të njëtit do të arratisen, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale apo do ta përsërisin veprën penale, andaj kjo gjykatë vlerëson se edhe me masën e paraqitjes në stacionin policor mund të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë, ndërsa masa e paraburgimi caktohet/vazhdohet vetëm nëse asnjë nga masat alternative nuk mund të jenë efektive në aspektin e parandalimit të arratisjes apo përsëritjes së veprës penale dhe zhvillimit të pa penguar të procesit penal, e që një situatë e tillë në rastin konkret, sipas vlerësimit të gjykatës, nuk ekziston”, thuhet në vendimin e trupit gjykues të Supremes, kryesuar nga Valdete Daka.

“Bazuar në këtë Gjykata Supreme vendosi që masën e paraburgimit ta zëvendëssojë me masën e paraqitjes në stacionin më të afërt policor, duke i urdhëruar të pandehurit që të paraqiten dy herë në javë, çdo të hënë dhe të premte në ora 10:00 tek stacioni policor në rajonin ku të pandehurit e kanë vendbanimin ose vendqëndrimin”, thuhet tutje në vendim.


Ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte bërë vetëm një nga të akuzuarit, kurse për të tjerët Supremja ka vendosur sipas detyrës zyrtare, pavarësisht se s’ka pasur ankesa nga mbrojtja. Për këtë, trupi gjykues e ka dhënë një arsyetim.
“Përkundër faktit se të pandehurit Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj e Pajtim Krasniqi, nuk kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo gjykatë vlerësoi se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të të pandehuirt Sadat Shkodra, e që nuk janë të natyrës personale, shkojnë edhe në dobi të të pandehurve të tjerë të cilët nuk kanë paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë”, ka arsyetuar Gjykata Supreme.
Në fund të vendimit, thuhet se nëse të akuzuarit nuk e respektojnë këtë masë, atëherë mund të caktohet paraburgimi sërish.
Dallaveret me subvencione
Gazeta Nacionale në dy seri shkrimesh ka hulumtuar akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit për manipulim me Subvencione. Mbi 650 mijë euro është shuma me të cilën është dëmtuar buxheti i Kosovës, nga të cilat mbi 300 mijë i kanë përfituar zyrtarët publikë.
Disa nga kryesorët në gjithë këtë zinxhir të dallavereve, janë pikërisht personat që u liruan nga paraburgimi me vendim të Supremes, përfshirë Luan Statovcin si drejtor për pagesa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Salih Statovci - vëllai i Luanit që ka ndihmuar në gjithë këtë aferë, Sadat Shkodrën si zyrtar për pagesa në AZHB, Berat Nika gjithashtu zyrtar për pagesa, e Hasan Maxhrraj e Kushtrim Zogaj si zyrtarë komunalë në Istog.
“Në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, AZHB ekzekuton pagesat në dy këste dhe Fuat Morina pranon në llogarinë e tij bankare pjesën e parë shumën 54,760.00€. Më pastaj me datë 06.11.2020 ia dorëzon Salih Statovcit ryshfetin në shumë 27,380.00€. Më vonë me datë 02.02.2021 Morina pranon pjesën e dytë të pagesës në vlerë 54,760.00€, dhe me datë 17.02.2020, Fuat Morina dhe Kastriot Berisha takohen me Salih Statovcin. Kur dalin jashtë, shkojnë në veturën BMW dhe Fuat Morina ia dorëzon të pandehurit Salih Statovci pjesën e dytë, shumën 27,380.00€, ndërsa për vete i ndal gjithsej 51,000.00€”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë. Vetëm në këtë rast, buxheti i Kosovës u dëmtua në vlerë 110 mijë euro.
Dy raportimet e Nacionales për këtë rast mund t’i lexoni si në vijim:
Si u vodhën mijëra euro duke bërë dallavere me tokat e mbjella me grurë?