Sulmohet fizikisht Gazmend Muhaxheri, dërgohet në spital
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, është sulmuar fizikisht. Siç raportojnë mediat, ai tashmë është dërguar në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Tashmë raportohet se dy persona janë arrestuar. Çka ndodhi?
Rastin e sulmit ndaj kryetarit Muhaxheri e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, për gazetën Express.
Në deklarimin e tij, Kurmehaj ka informuar se Muhaxheri është dërguar në spital për “të parë natyrën e lëndimeve”.
“Informata është ende jo zyrtare, por ka qenë i sulmum fizikisht në mëngjes nga një person edhe policia e ka dërgu Kryetarin në Spital për me pa natyrën e lëndimeve. Tash prokuroren e dërgova në vend të ngjarjes dhe të kontakton direkt me kryetarin. Personi që e ka sulmu është ndalu dhe tani do të vazhdojmë me masa ndaj tij”, ka deklaruar Kurmehaj.
Ndërsa Kallxo raporton se zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova e ka konfirmuar rastin, duke treguar se janë arrestuar dy persona. Siç njoftohet, rasti ka ndodhur rreth orës 8:50, ndërsa raportohet se Muhaxheri ka pësuar lëndime trupore.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Rugova.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj Muhaxherit, i cili vjen po ashtu nga radhët e LDK-së. Në një reagim të shkurtër, Abdixhiku ka vlerësuar se Muhaxherin as “nuk mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë”.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë!
Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë” – ka shkruar Abdixhiku.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, e cila e ka dënuar “ashpër aktin e dhunës”.
“Aktet e tilla kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët është akt i shëmtuar dhe vjen nga individ apo grupe që janë kundër rendit demokratik në Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që institucionet kompetente të rendit dhe të drejtësisë të veprojnë menjëherë dhe akterët e këtij akti por edhe urdhërdhënësit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar” – thuhet në reagimin e AKK-së.
Lajmi në përditësim...