Sulmi ndaj Policisë vitin e kaluar: Serbit i caktohet një muaj paraburgim
Një serb i arrestuar gjatë ditës së djeshme për sulm ndaj Policisë vitin e kaluar, do të qëndrojë një muaj në paraburgim.
Lajmin e ka konfirmuar Gjykata Themelore e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media.
“I pandehuri me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të peshës së veprave penale për të cilat ngarkohet, e këtë lehtë mund ta bëjë kur merret për bazë fakti se i pandehuri është shtetas edhe i Republikës së Serbisë ashtu që do të jetë i pa arritshëm për organet e ndjekjes, po ashtu ekziston rreziku se me lënien në liri i njëjti mund të fsheh, asgjësojë, apo ndryshojë provat që duhen të merren gjatë fazës së hetimeve, andaj sipas vlerësimit të Gjykatës caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatim me sukses dhe efektiv të kësaj procedure penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.