Sulme, përqeshje, “poezi” dhe një dënim: Si shkoi fushata negative Kurtit?
Tashmë partitë politike e kanë përmbyllur javën e parë të fushatës zgjedhore. Më saktë, sot është dita e tetë e fushatës zgjedhore, që nënkupton se java e dytë e fushatës ka filluar. E në javën e parë, fushata e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është karakterizuar me sulme ndaj biznesit, përqeshje ndaj opozitës, me pak “poezi” e me një dënim nga KQZ-ja për gjuhën e përdorur. Qysh e kaloi Kurti javën e parë të fushatës?
Dje kryeministri Kurti e vazhdoi sulmin ndaj bizneseve të mëdha, të cilave ai iu referohet si “oligarkë”. Më saktë, Kurti e bëri një barazim aspak politikisht korrekt mes “oligarkëve” dhe “bandave të Serbisë”.
“Të dashur qytetarë të Prizrenit, bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, e këta oligarkët pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy grupet kundër Kosovës. Tash shtrohet pyetja: a me koordinim a pa koordinim?” – tha Kurti dje.
Normalisht, në javën e parë Kurti ka pasur edhe thumbime ndaj LDK-së dhe PDK-së, të cilave ia shtrëmbëroi leximin e germave të akronimit. Pra i lexoi si “Lydykyhi” dhe “Pydykyhi”.
Madje, Kurti e kishte quajtur LDK-në si “Lodhja Dokrratike e Kosovës”.
“Lydykyhi, nuk është lidhje por është lodhje. Nuk është demokratike por dokrratike. E në përgjithësi, mender me thanë opozita, po i japin zor mule anej e knej, për vend të dytë. Poget e kanë edhe pa ata vet që s’ka ymyt” – tha Kurti.
Kurti u kritikua edhe për një tjetër metaforë aspak të qëlluar, kur e përdori mizën për të asocuar me LDK-në.
“Kur na rastit të dëgjojmë naj udhëheqës të LDK që thotë se po i pëlqen populli e ka simpati për ta, kjo mu m’i përngjan asaj mizës që thoshte kudo po shkoj po më presin me duartrokitje. Pra kur ata thojnë që populli është si ajo miza që lavdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” - tha Kurti.
Për këto përqeshje e krahasime, Kurti është dënuar me tre mijë euro nga ana e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Më saktë, Lëvizjen Vetëvendosje është dënuar me tre mijë euro për shkak të shkeljes së Mirësjelljes për Subjektet Politike.
“I. Pranohet pjesërisht e bazuar ankesa e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me seli në Prishtinë, Anr.30/2025 e datës 14.01.2025, ashtu që subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 3,000.00 (tremijë) euro” – thuhej në vendimin e PZAP.
Ndërsa mbrëmë në Prizren, Kurti iu rikthyer gjuhës së tij të veçantë, e cila tingëllon paksa si “rima”. Gjatë fjalës së tij në Prizren, Kurti tha se “më 9 shkurt lezet e selamet cep më cep, e për opzoitën haj medet”.
“Punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë dhe shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë. nijetin e kemi të mirë, hyzmetin po ja bojmë, ymytin e kemi të madh, e kismet më 9 shkurt lezet e selamet cep me cep, e për opozitën haj medet”– ka deklaruar Kurti.