Stojkoviq: E vetmja gjë që Vuçiqi s'e njeh për Kosovën, është se ai e njeh Kosovën
Sipas Çedomir Stojkoviqit, kryetarit të shoqatës “Oktobar”, presidenti serb Aleksandër Vuçiq jeton në “fantazi politike dhe diplomatike”. Ai shprehet se gjithçka që thotë Vuçiqi është krejtësisht jashtë realitetit politik, gjeopolitik dhe ndërkombëtar. Qysh e argumenton ai këtë qëndrim?
Ai i tha këto fjalë për Danasin në lidhje me deklaratën e presidentit serb se nëse Ukraina do ta njihte Kosovën atëherë do të humbiste gjithçka për një ditë.
Stojkoviqi u shpreh se askush në Evropë nuk e sheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë, “bile as ato shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.”
“Ato shtete e shohin Kosovën si të pavarur, thjesht nuk e njohin,” – u shpreh ai.
Avokati serb thekson se e vetmja gjë që s’e njeh Vuçiqi është fakti që i e njeh Kosovën si shtet.
“Kosova, ashtu si çdo shtet tjetër, nuk njihet thjesht duke thënë “unë e njoh” apo nuk njihet duke thënë “unë nuk e njoh”. Kosova, si çdo shtet tjetër njihet nga traktatet ndërkombëtare në të cilat ai subjektivitet politik e ndërkombëtar njihet...” – shprehet ai.
Stojkoviq shpjegoi tutje se Vuçiqi arriti marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, jashtë institucioneve të Serbisë, duke e njohur kësisoji ekzistencën e Kosovës si shtet.
Ai theksoi që mos-njohja e Vuçiqit se e kishte njohur pavarësinë e Kosovës rrjedh nga rinia e tij, ku ai ishte “studenti më i dobët i Fakultetit Juridik”.
