BE ia kthen edhe një “jo” Kurtit: Në Komision të Venecias drejtohuni ju, lëvizni me Asociacionin - NACIONALE

BE ia kthen edhe një “jo” Kurtit: Në Komision të Venecias drejtohuni ju, lëvizni me Asociacionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se emisari Miroslav Lajçak duhet ta çojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venecias, ndërkaq ai vetë, në Gjykatën Kushtetuese.

Zëdhënësi Peter Stano është shprehur se përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

Në një përgjigje për “REL”, ai ka përsëritur se BE-ja dhe QUINT-i kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për hapat e radhës sa i përket Asociacionit.

“BE dhe QUINT e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe pritjet për hapat e radhës që Kosova duhet t’i ndërmarrë në procesin e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve të Brukselit [të viteve 2013 dhe 2015] lidhur me themelimin e Asociacionit, më saktësisht që drafti evropian për statutin t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar atë si të pranueshëm.” – citohet se ka thënë ai.

Tutje, ai është shprehur se i takon Kosovës të kërkojë këshilla ligjore nga Komisioni i Venecias.

“Pas prezantimit të draftit evropian para kryeministri Kurti dhe presidentit [serb Aleksandar] Vuçiq në tetor të vitit 2023, hapi i radhës duhet të bëhet nga Kosova në përputhje me marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015." - shtoi ai.

“I takon Kosovës që, si pjesë e Komisionit të Venedikut, të kërkojë këshilla ligjore për draft legjislaturën, apo legalizimin që tashmë është në fuqi, përfshirë edhe draft-statutin evropian.” – theksoi Stano.

Në fund, ai citohet të ketë bërë thirrje që Kosova të veprojë "me shpejtësi dhe të ndërpresë vonesat tjera në përmbushjen e obligimeve të saj”.

Lajme të ngjashme