Standardet e Kurtit: Nuk dëshmon për korrupsion, shkon në Gjykatë si i dëmtuar nga kanosja e Faton Klinakut - NACIONALE

Standardet e Kurtit: Nuk dëshmon për korrupsion, shkon në Gjykatë si i dëmtuar nga kanosja e Faton Klinakut

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ditën e nisi në Gjykatë.

Ai në cilësinë e të dëmtuarit, shkoi në gjykatore për t’u përballur me Faton Klinaku, i cili akuzohet për kanosje ndaj Albin Kurtit.

Në fakt, aty ku është si i dëmtuar, Kurti nuk pati nevojë për ‘lutje’.

Përderisa, për rastin e Rezervës Shtetërore, në asnjë mënyrë, kryeministri në detyrë, nuk pranoi të shkonte për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ai i kishte ftuar prokurorët të shkojnë në zyrën e tij për ta marrë në pyetje, dhe nuk kishte hezituar t’i sulmonte keq bartësit e Prokurorisë.

"Aty nuk duhet si dëshmitar, ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s'munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t'ju them s'po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s'kam privatisht asgjë", ka theksuar Kurti.

Deklaratave të tij i ishte përgjigjur kryeprokurori Blerim Isufaj.

“Ftesa për dhënien e dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë Qeverisë së Kosovës që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, tha Isufaj.

“Unë nuk kam informata që dikush është intervistuar në zyrën e kryeministrit. Derisa po bëhen pesë vjet që jam kryeprokuror i kësaj Prokuroria, raste të tilla nuk ka pasur”, tha ai.

Jozyrtarisht ishte bërë e ditur se Gjykata i kishte shqiptuar edhe gjobë Kurtit, por nuk pati masë për paraqitjen e tij me dhunë për të dëshmuar.

Por, Albin Kurti, sot nuk e pati hezitimin e njëjtë.

Në fund të seancës për kanosjen e tij, gazetarët e pyetën nëse do të shkojë tash për të dëshmuar për rezervën, por Kurti vetëm heshti.

Faton Klinaku akuzohet për kanosjen e Kurtit, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ku kishte shkruar “më para e vras Albin Kurtin se që largohem prej Kosovës”.

“Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social Facebook, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, ka njoftuar prokuroria.

Lajme të ngjashme