Srpska pretendon të ketë gjetur "mirëkuptim" në Uashington, çka bënë atje dy simiqët?
Dy përfaqësues të Listës Serbe, Igor dhe Sllavko Simiq, parti kjo veçse degë dhe zgjatim i Partisë Progresiste të Serbisë (SNS) që udhëhiqet nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, qëndruan gjatë kësaj jave në Uashington ku u pritën nga Emisari Special për Ballkanin Perëndimor në Departamentin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar. Në atë që me këtë vizitë u provua të jepet një shëmbëlltyrë për kinse përfaqësues të serbëve të Kosovës të pavarur nga Beogradi, njëri prej simiqëve foli në një intervistë për Zërin e Amerikës. Saktësisht këtë do të pretendonte Igor Simiq, se Lista Serbe është “e pavarur nga Beogradi”. Si u shkoi vizita simiqëve?
Për shumë kënd në Kosovë vizita e Listës Serbe në Uashginton u pa me dyshim; në veçanti në atë se në këto kohë Qeveria e Kosovës nuk pritet në vizita në ShBA, e ku madje kohëve të fundit Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk iu mundësua shkuarja atje për të marrë pjesë fizikisht në një konferencë për Ballkanin Perëndimor, dhe ku prezenca e saj lajmërohej vetëm si pjesëmarrje virtuale. Dy përfaqësues të Listës Serbe megjithatë u pritën atje. Jo pak, por shumë e dhimbshme. Por, si u shkoi vizita?
Igor Simiq dha një pretendim jo pak të madh. Tha se “gjetëm mirëkuptim” në qasjen e tyre për situatën në veri, teksa ishte duke folur për zgjedhje të reja në ato zona, për të cilat edhe u shpreh se “nuk janë ilaç magjik që do të zgjidhnin të gjitha çështjet”. Simiq tha se i përcolli mesazhet, sipas tij të serbëve të Kosovës, në Uashginton, dhe që u dëgjuan.
Megjithatë, gjer më tash, asnjë komunikatë ose njoftim për media nga amerikanët në lidhje me takimin me Igor dhe Sllavko Simiq, nuk është dhënë, për të konfirmuar këtë “dëgjueshmëri” që e pretendon Simiq. Rrjedhimisht edhe dyshimi i madh në validitetin e pohimeve dhe pretendimeve të tyre.
“...nëse parakushtet nuk përmbushen, si të mbajmë zgjedhjet, nëse kemi situatën ku më shumë se një mijë njerëz nuk jetojnë në veri të Kosovës sot shkaku i listave sekrete për arrestime, në të cilat ka doktorë, profesorë, njerëz të njohur, njerëz me integritet në komunitet...” – pretendoi Simiq. “Bisedimet për zgjedhjet, si për ndonjë ilaç magjik që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, janë me të vërtetë të papërgjegjshme. Kjo nënkupton se dikush nuk e njeh mirë situatën.”
Simiq u qëndroi një qind për qind kërkesave dhe qëndrimeve të Beogradit zyrtar në lidhje me situatën në veri, teksa rikujtoi kërkesat e kahershme për mosprani të njësive speciale policore në veri, që madje ai u quan “të paligjshme”.
“Ata (njësitë speciale) janë dërguar para se policët serbë të linin institucionet... Policët serbë lanë institucionet më 6 nëntor të vitit të kaluar. Këto forca policore kishin nisur të ndërtonin bazat e tyre shtatë muaj më parë”, pretendoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i qëndrojnë deri më sot krejtësisht planit tre-pikësh për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që janë tërheqja e njësive speciale policore brenda dhe në rrethinë të ndërtesave komunale, shpallja e samëparshme e zgjedhjeve të reja në ato komuna, dhe që zgjedhjet të kenë pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e fundit, si dhe ka pasur kërcënime ndaj të gjithë serbëve që kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në zgjedhjeve.
Djegie të veturave, kërcënime, shantazhe, e të tjera, e kanë karakterizuar kohën parazgjedhore në prill të këtij viti, ku përfundimisht u tërhoq nga zgjedhjet edhe kundërshtari serb i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq nga gara në Leposaviq.
Në një njoftim në Facebook, Lista Serbe tha se në takim Esobar-it ia përçuan gjendjen politike dhe të siguri në veri, si dhe, siç thanë ata, “nevojën për të respektuar marrëveshjet e nënshkruara përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, po ashtu edhe udhërrëfyesin për deeskalim të situatës në veri”.
