Sot takohen Bislimi e Petkoviq në Bruksel, priten diskutime për dinarin - NACIONALE

Sot takohen Bislimi e Petkoviq në Bruksel, priten diskutime për dinarin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tema e dinarit do të jetë edhe sot temë në Bruksel.

Megjithatë, kësaj radhe atje do të shkojë zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Kjo pavarësisht se ai disa herë deklaroi që kjo çështje është vendim i BQK-së si institucion i pavarur.

Për dinarin është hera e dytë që ka takime në Bruksel, pasi atje kishin shkuar edhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore.

Javën që shkoi Bashkimi Evropian bëri të ditur se temë diskutimi në këtë takim do të jetë Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.

Edhe në vizitën e fundit që pati në Kosovë, emisari i Amerikës, Gabriel Escobar, deklaroi se shpreson që ‘të martën të arrihet një dakordim në Bruksel’.

Një ditë para këtij takimi, për dinarin ka folur presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel sot, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Në anën tjetër, dje u bë 1 vit që nga dakordimi i marrëveshjes në Ohër, për të cilën përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, kërkoi që të zbatohet.

Lajme të ngjashme