Sot përfundon afati i ShBA-së dhe BE-së për Kosovën: Emisarët të premten iu raportojnë “shefave” - NACIONALE

Sot përfundon afati i ShBA-së dhe BE-së për Kosovën: Emisarët të premten iu raportojnë “shefave”

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë më parë ka thënë se presin që më së largu sot (e mërkurë) që të këtë një marrëveshje për qetësim të situatës në veri.

Ai gjatë takimit me gazetarë përmendi edhe tri kushtet që i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, e që janë: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog me Serbinë.

“Duhet të ndodhin hapa tani, dhe ne duhet të shohim se kemi pajtim në këtë aspekt sot e nesër, sepse të premten unë dhe Miroslav Lajcak duhet të raportojmë para eprorëve tanë nëse takimi ynë ishte i suksesshëm apo jo”, u shpreh ai.

Zyrtari i lartë amerikan kishte thënë se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.

Paralajmërimi i Escobarit

Megjithatë, kjo situatë duket se nuk po i pëlqen fare emisarit amerikan, Gabriel Escobar. Ky i fundit dha një afat deri të premten që të ketë një vendim nga Kurti, pasi ata do të raportojnë tek “shefat” e tyre.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia. Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar në një takim me gazetarë.

“Dua të bëj të qartë, që ne nuk e shohim këtë si pasojë për marrëdhëniet tona afatgjata, por veprimet e marra ose jo të marra do të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të raporteve tona. Nuk dua të flas për këtë”.

“Nuk e kemi të njëjtin raport me Serbinë siç e kemi me Kosovën. Serbia nuk është një kandidate për NATO-n. Kanë një kohë sfiduese në integrimin europian”, deklaroi Escobar.

Por, në vend të një përgjigjeje nga Kurti, emisari amerikan ka marrë një seri sulmesh nga eksponentë të pushtetit. Sidomos nga qendra e VV-së në Tiranë.

Pikërisht deklaratën e mësipërme u sigurua ta komentojë anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha.

Në reagimin e tij, Hoxha ka shkruar se një “popull nuk i nënshtrohet një emisari”.

Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender 2023”, ambasadori amerikan ka paralajmëruar se nuk do të ketë vizita bilaterale dhe gjithashtu nuk do të lobojnë tek shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Lajme të ngjashme