"S’kërkon qeverisje, por kontroll absolut": Bajrami tregon pse mbetet kundër bashkëpunimit me VV-në
“I ka 4 miliardë euro buxhet në dispozicion dhe e çon vendin në zgjedhje sepse dëshiron me pasë president partiak.”
Për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, synimi tashmë krejtësisht i zhveshur i Lëvizjes Vetëvendosje për të përqendruar pushtetin në duart e veta – siç, sipas saj, u manifestua qartë në rastin e presidentit – si dhe ambicia për të vënë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese, Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor dhe mbarë arkitekturën e sistemit të drejtësisë, përbëjnë disa nga arsyet më të forta pse ajo mbetet prerazi kundër çdo bashkëpunimi politik me këtë parti.
Logjika, deklaroi Bajrami, është e qëllimshme dhe efektive, dhe ka funksionuar edhe më parë.
“Ne kemi sot të bëjmë me një qeveri populiste. Qysh sot altoparlantët e Vetëvendosjes me skripta të shkruara nga komitetet e partisë, vijnë edhe mundohen që dështimin e zgjedhjes së Presidentit me e gjujtë te një parti politike që i ka vetëm 15 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtë e kanë bërë edhe gjatë vitit 2025 dhe kanë pasur sukses.” – deklaroi Bajrami.
Sipas Bajramit, përballja me këtë pushtet mbetet një sfidë serioze, pasi ai jo vetëm që përpiqet t’ia adresojë opozitës dështimet e veta, por, sipas saj, shfrytëzon edhe buxhetin e shtetit për “skema të korrupsionit publik”.
“Përpos asaj, për çdo vit prej që këta janë në qeveri, 1.2 miliardë euro janë para, taksa të buxhetit të Kosovës, të cilat këta i shpërndajnë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre shkon në skemat e korrupsionit publik që ne i kemi quajtur blerje të votës. Këto gjëra nuk janë lehtë me u luftu.” – u shpreh Bajrami.
Sipas saj, mënyra se si partia në pushtet e trajton situatën është tashmë metodë e provuar: dështimin e zgjedhjes së presidentit ia mvesh LDK-së, ndërkohë që mban 51% të votave, 19 ministri dhe miliarda euro buxhet.
“Me parti të tilla qeveriset nëse ke mundësi që gjatë negocimit me marrë pozitën e kryeministrit. Përndryshe, ne e kemi provu qeverisjen me Vetëvendosjen. Nga dita e parë, nuk e kanë pasë qëllimin me qeverisë.
Kemi të bëjmë me një parti politike e cila sot i ka 51% të votave – për herë të parë në historinë e Kosovës një parti politike i ka 19 ministri, i ka 4 miliardë euro buxhet në dispozicion dhe e çon vendin në zgjedhje sepse dëshiron me pasë president partiak. Sepse dëshiron me kapë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor dhe komplet sistemin e drejtësisë. Nuk është lehtë me qeverisë dhe me iu thënë njerëzve: ‘Po bëhemi bashkë me këta – këta janë të këqinj, por ne po bëhemi bashkë me ta’.” – tha deputetja.