S’kanë të ndalur rritjet, tani e pësojnë qytetarët e regjionit të Mitrovicës
Një valë e re çmimesh nga tregjet e huaja pritet ta godasë edhe tregun e Kosovës, për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Përveç produkteve ushqimore, ndjeshëm është rritur edhe çmimi i derivateve. Si rrjedhojë, Kosova tashmë ka nisur t’i ndiejë këto rritje të çmimeve.
E rritje nga sot do të ketë edhe në linjat e transportit për udhëtarë nga Mitrovica për në Prishtinë.
Nga Shoqata e Autobusëve për regjionin e Mitrovicës kanë njoftuar se kjo masë do të hyjë në fuqi nga data 09.03.2022.
Kjo rritje siç duket ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të derivateve.
Në Kosovë, më 6 mars, një litër naftë është shitur për 1.59 euro, ndërkaq benzina deri në 1.59 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni. Kjo rritje ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit.
Madje këto ditë në dyqane, dita ditës janë vërejtur edhe ngritje të çmimeve të produkteve bazike. Një litër vaj shitet nga 1.45 deri në 2.09 euro, një kilogram miell nga 0.69 deri në 0.95 euro dhe një kilogram sheqer nga 0.79 në 0.95 euro.
/Nacionale.com/