Skandali që u harrua – Zvicra vazhdon ta ruajë Dick Martyn, çfarë bëri Kosova? - NACIONALE

Skandali që u harrua – Zvicra vazhdon ta ruajë Dick Martyn, çfarë bëri Kosova?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë kaluar saktësisht 20 ditë prej kur në mediat zvicerane u bë publik një nga skandalet më të mëdha. Ish-senatori zviceran, Dick Marty i njohur për raportin e tij për trafikim organesh nga UÇK-ja, ishte kërcënuar nga intelegjenca serbe me vrasje. Kjo në mënyrë që faji t’i mbetej Kosovës. Për këtë ishte përzgjedhur pikërisht koha kur ishin arrestuar ish-krerët e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin. Tash e gati 3 javë nga ky skandal, pak kush po flet për këtë temë, përderisa Marty vazhdon të ruhet nga policia e Zvicrës.

Kosova kërkoi informacione nga Zvicra. Edhe drejtori i AKI-së ishte thirrur për raportim. Por deri më tani, ende nuk dihet se cili është komunikimi zyrtar i institucioneve të Kosovës me Zvicrën, për kërcënimin e senatorit zviceran Dick Marty nga Serbia, me qëllim që të fajësohet Kosova.

Zyra e Presidentes ditë më parë kishte bërë të ditur se ka kërkuar informacione zyrtare nga Zvicra për këtë skandal. Megjithatë, nuk dihet nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Tash e tri javë, kjo çështje është heshtur.

Policia e Zvicrës ia ka konfirmuar gazetës Nacionale se po vazhdojnë ta ruajnë Dick Martyn nga kërcënimet e Serbisë.

“Mund të konfirmojmë se që nga dhjetori 2020, supozohej një situatë serioze e kërcënimit ndaj z. Dick Marty. Veç aspekteve të së drejtës penale, çështja përfshin në veçanti garantimin e sigurisë personale dhe gjithashtu ka komponentë politikë për shkak të kontekstit të supozuar transnacional. Për këtë arsye, autoritete të ndryshme federale janë të përfshira në fushat e tyre të përgjegjësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Fedpol, dhe autoritetet e tjera kanë marrë masa për këtë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Zvicrës.

Zvicra e ka konfirmuar se po zhvillojnë komunikime me Beogradin zyrtar, megjithatë Kosova nuk është përmendur.

“Autoritetet kompetente zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe. Në veçanti Fedpol ka iniciuar një shkëmbim informacioni me autoritetet policore serbe në nivel policor. Kjo masë është një prej masave të marra për këtë bashkëpunim, që po bëhet në konsultim të ngushtë me Prokurorinë e Zvicrës”, thonë më tutje ata.

“Për ta garantuar sigurinë, Fedpol mori masa të gjera mbrojtëse bazuar në një vlerësim të rregullt të situatës, duke përfshirë sigurinë në mjedisin e afërt të z. Martyt (kjo përfshin mbrojtje të ngushtë gjatë paraqitjeve në hapësira publike, ose masa mbrojtëse teknike, në vendbanim). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë e Kantonit. Masat e sigurisë dhe të mbrojtjes janë ende duke u mbajtur, për këtë arsye dhe për të mos cenuar në mënyrë të panevojshme efikasitetin e tyre – nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera”, përfundon përgjigja për gazetën Nacionale.

GJYKATA SPECIALE

Avokatët dhe njohësit e punës së Dhomave të Specializuara, po thonë se ky kërcënim ndaj Dick Martyt, duhet të ndikojë edhe në punën e Speciales. Përveç se Marty duhet të ftohet si dëshmitar, sipas avokatit Skënder Musa, ky skandal ka ndikuar në kredibilitetin e Gjykatës Speciale.

“Dick Marty kanosja e tij nga sigurimi shtetëror i Serbisë për likuidim që përgjegjësinë ta hedhë te Kosova, tregon se kemi të bëjmë me një shtet dhe regjim që është i gatshëm të fabrikojë dëshmi dhe prova të rrejshme, të angazhojë njerëz dhe funksionarë të BE-së si Dick Marty, që të përgatisin raporte për krime të luftës në Kosovës edhe trafikim organesh. Pa dyshim që publikimi i tij në televizionin zviceran është i rëndësishëm dhe e ka bërë që të reflektojë që e gjithë raporti i tij ka qenë i mbështetur në fabrikime të montuara të provave dhe dëshmive të rrejshme të Serbisë, prokurorëve të Serbisë. Edhe ambasadori i Serbisë në Zvicër ka punuar me Dick Martyn që të përgatisë një raport për UCK-në”, ka thënë Musa për Nacionalen.

“E nevojshme është që Dick Marty të ftohet si dëshmitar qoftë nga ana e mbrojtjes apo e prokurorit, sepse nëse ai dëshmon të vërtetën për raportin bazohet në tërësi nga të dhënat e sigurimit shtetëror të Serbisë, nga qarqe të Putinit do të duhej të ndikonte edhe në shqyrtimin e aktakuzave nga prokurorët speciale për shkak se raporti i Dick Martyt ka qenë pika themeltare e formimit të Gjykatës Speciale por edhe e fillimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave. Duhet vullnetarisht të paraqitet në gjykatë”, theksoi Musa.

Çfarë tha Marty?

Ish-raportuesi special i Komisionit Evropian, Dick Marty, jeton me mbrojtjen policore për një kohë të gjatë, sepse jeta e tij është e rrezikuar nga elementet radikale të shërbimeve të inteligjencës serbe, raporton Radio Televizioni Zviceran. Martyt, i cili është ish-prokuror nga kantoni i Ticinos, i është dhënë mbrojtje policore që nga dhjetori i vitit 2020, raporton “Radio Television Suisse”.

“Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionistë që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësohen kosovarët”, ka deklaruar Dick Marty.

Ai ka shtuar se ekzistojnë veteranë që janë të specializuar për vrasje me porosi dhe se vrasja e dikujt në këtë mënyrë nuk është veçanërisht e shtrenjtë.

Marty ditë më parë foli sërish rreth kërcënimit ndaj tij.

“Urrejtja që është ndjellë ndaj meje, më ka bërë që të jem pikë e shënjestrës. Kjo është shfrytëzuar në një mënyrë absolutisht cinike dhe perverse nga një pjesë e elementeve radikale nacionaliste serbe, që pjesërisht zënë vend në shërbimet sekrete dhe institucionet serbe – për t’i diskredituar kosovarët duke eliminuar Martyn, ngase të gjithë do të besonin që kosovarët do ta kishin kryer atë akt, pas 11 vitesh fushatë kundër meje”, u shpreh z. Marty kur iu kërkua të fliste sërish për akuzat e bëra.

Lajme të ngjashme