Skandali i Ramës me tenderin e Arkitektit të Kryeqytetit: Prokuroria nis hetimet - NACIONALE

Skandali i Ramës me tenderin e Arkitektit të Kryeqytetit: Prokuroria nis hetimet

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama. Javën e kaluar u raportua për skandalin e Ramës me projektin “Arkitekti i Kryqytetit” ku operatorë të tjerë ekonomik shfaqen haptazi dyshimet se vetë Rama kishte “orkestruar” skemën nga ku tashmë dy subjekte kanë përfituar mbi 3 milionë euro. Burimet e Gazetës Nacionale brenda Prokurorisë, kanë konfirmuar se organi i akuzës tashmë ka filluar hetimet ndaj të parit të Prishtinës.

Për çka bëhet fjalë?

Javën e kaluar u raportua se Operatori ekonomik "Gjeokonsult&CO" ka dërguar ankesë në Gjykatën e Tenderëve, duke akuzuar Komunën e Prishtinës se procesi i tenderimit për Themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit është manipuluar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një konsorcium të veçantë. Siç raporton Kiks Kosova, ankesa përmban prova që tregojnë se i gjithë procesi i prokurimit për “Anarch ShPK” dhe “Ardi Ç” të cilat përfituan mbi 3 milionë euro deri më tani, është orkestruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në dokumentet e dorëzuara, "Gjeokonsult&CO" ka argumentuar se oferta fituese ka përfshirë projekte që shtrihen përtej kufijve kohorë të tenderit dhe referenca që datojnë prej vitesh, të gjitha duke anashkaluar kërkesat e përcaktuara.

Megjithatë, rezulton se këto kushte nuk janë përmbushur nga kompania të cilën Përparim Rama e shpërbleu me tender.

Për të mbështetur ankesën, operatori ekonomik “Gjeokonsult&CO” ka shpalosur para Gjykatës një sërë provash konkrete që dëshmojnë shkeljet.

Një nga pikat kyçe të ankesës është mospërputhja e projektve të prezantuara me kriteret e përcaktuara në kërkesat e tenderit.

Data e vendosur në lidhje me përfundimin e projektit “Menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor ENK/ Prishtina City Center” ishte viti 2013, i shënuar nga GOE në aneksin 4, projekt i cili rezulton jashtë afateve të përcaktuara nga Autoriteti Kontraktues dhe Ligji i Prokurimit Publik.

Nga ana tjetër, tek data e përfundimit që i binte 10 vjet me parë, kompania fituese për të njëjtën projekt kishte shënuar fjalën “VIJON”.

Ky projekt rezulton se nuk përputhej me plotësimin e kërkesave të dosjes së tenderit dhe Ligjit të Prokurimit Publik. Madje, kjo referencë nuk ishte nënshkruar.

Disa projekte tjera, duke përfshirë rregullimin e studiove të TV Klan KOSOVA dhe punën e bërë për Top Channel nga Ninxha, nuk arrijnë të përmbushin afatet.

Datat e përfundimit të këtyre projekteve janë ose të paspecifikuara ose shtrihen përtej afatit kohor të caktuar, duke i bërë ato të papërshtatshme për përmbushjen e kritereve të FDT dhe LPP-së.

Në mënyrë të ngjashme, rregullimi i dy dhomave në ZOE HORA Hotel and Spa, të etiketuar si "në vazhdimësi", i mungon qartësia në lidhje me përfundimin, duke ngritur më tej shqetësimet për përmbushjen e standardeve FDT dhe LPP.

Për më tepër, projekti i menaxhimit dhe Analiza e Leverdishmërisë i ARTMOTION DATA QENDRA, me datë përfundimi të shënuar si 2018, rezulton jashtë afateve të AK-së dhe LPP-së, duke e bërë atë të papërshtatshëm për përmbushjen e kërkesave të FDT dhe LPP.

Megjithatë, pavarësisht dëshmive së paraqitura nga "Gjeokonsult&CO", Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka hedhur poshtë ankesën e operatorit nën argumentin se nuk kishte shkelur procedurat.

Eksperti Shqyrtues nga ana tjetër ka rekomanduar miratimin e ankesës së operatorit ekonomik duke sugjeruar rishqyrtimin e çështjes.

Pavarësisht rekomandimeve të ekspertit, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik nuk i ka pranuar këto rekomandime.

Sipas OShP-së, autoriteti kontraktues nuk ka shkelur ligjin dhe ka ndjekur procedurat e prokurimit në mënyrë të rregullt.

Lajme të ngjashme