S’ka votë për Limajn, s’ka vota të Limajt: Kurti i thotë ‘Jo’ duke ia llogaritur të mirëqena votat për qeveri
- ‘Jo’ Fatmir Limajt. Vetëvendosja ‘e ka dhënë propozimin’ e vet, Albulena Haxhiun.
Tre votat e Nismas Socialdemokrate pritet të qëndrojnë sërish negative për Vetëvendosjen e betonizuar në Albulena Haxhiun si propozim që as s’kalon as hiqet tash njëzet e pesë herë për gati dy muaj. Kështu la të kuptojë vetë Albin Kurti shkurtimisht para gazetareve se VV “e ka dhënë propozimin e vet” kur u pyet se a ka votë për Limajn, me të cilin, referuar këtij të fundit, kishte marrëveshje “gojore” për kryeparlamentar. Votat për Haxhiun po reduktohen çdo seancë dy-tre minutëshe çdo katërdhjetë e tetë orë, ndërsa Limaj s’pritet të ketë emrin e vet të thirrur.
Nga Nisma Socialdemokrate, deputetja Xhevahire Izmaku, dje tha për media se “ende ka shpresë” se mund të arrihet marrëveshje mes Nismas dhe Vetëvendosjes për Limajn kryeparlamentar, ndërsa raportimet për takime mes Limajt dhe Kurtit – edhe Glauk Konjufcën – janë bërë ditë e më të shpeshta.
Izmaku tha në T7 se kanë pasur “konfirmin” nga Vetëvendosja se Limaj merr kryeparlamentarin në këmbim të tre votave të tyre për një qeveri të re të Albin Kurtit, por pa u përfshirë në të.
“Ka qenë një situatë që në fillim e kemi pasë atë konfirmim – po flas edhe si deputete, se ne bisedojmë edhe me kolegë. Nuk është emër që nuk është mirëpritë”, tha ajo.
- “Po duket që s’ka ndryshim nga të dy palët dhe ende mungojnë votat e mjaftueshme”.
Kohëve të fundit në media është raportuar se “ka marrëveshje” mes Limajt dhe Kurtit, por se një gjë e tillë nuk është materalizuar. Limaj në paraqitje ne fundit në Pressing të T7 ka thënë se Kurtit i ka kumtuar se “aktualisht nuk mund të të ndihmoj në qeverisje, por në partneritet në nivel kuvendi”.
“I thash jam i gatshëm ta marrë detyrën e Kryetarit të Kuvendit. Në fund patëm dakordim gojor. Ne të dy. Unë dhe Kurti”, pati thënë Limaj.
Vetëvendosje pretendon se i ka votat për qeveri në një kuvend që nuk e ka: Albulena Haxhiu në maksimum ka shkuar në 57 vota, ndërsa seancën e fundit ka rënë në 51. Ka dështuar të zgjedhjte plot 25 herë, nesër pritet e 26’ta. Për më tepër, VV pretendon t’i ketë votat për qeveri nga tri votat e Nismës thjesht-ashtu.
Haxhiu njofton se nuk tërhiqet
As në të 26 herë Haxhiu nuk do të tërhiqet nga të qënit e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të kuvendit, ndonëse Vetëvendosja ka zgjidhje nga partitë tjera nëse zgjedh kandidat të pranueshëm për ta. Nga AAK kanë dhënë tre emra, ndërsa PDK ka thënë se e voton çdokënd që nuk ka ushtruar post ministror në Qeverinë Kurti II. Haxhiu kohëve të fundit në KTV tha se insistimi nuk është i saj që ajo të mos tërhiqet, por i partisë Vetëvendosje.
“Nuk është këmbëngulja ime personale, por qëndrimi i partisë – ju lutem të mos e shihni si ambicie personale dhe këmbëngulësi timen. Është vendim i LVV-së, dhe i takon VV-së”, tha ajo.
“Deformohet komplet vullneti i popullit”, tha ajo.
“Secilin emër që do ta propozonim nuk do të kishte zmbrapsje. Kushdo që do të ishte vendosur në fillim, njësoj do ta mbronim. Prandaj nuk është çështje personale. Është çështje e të drejtës kushtetuese”, tha ajo.