"S'ka as CV publike": Denoncohet emërimi i aktivistit të VV-së në krye të ndërmarrjeve publike
Dhe... punësimet partiake nga VV-ja po vazhdojnë. Buletini Ekonomik ka shkruar se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka emëruar zyrtarisht Valon Prebrezën në rolin e udhëheqësit të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike. E për këtë çështje ka ardhur edhe një reagim i rëndësishëm.
Më 16 qershor, Buletini Ekonomik njoftonte se ministrja Rizvanolli e kishte marrë vendimin që ta emëronte Prebrezën në rolin e lartpërmendur.
Aty tregohej edhe se çfarë roli kishte njësia që do të udhëhiqej nga ai:
“Njësia për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmjarrjeve Publike ka për mision monitorimin dhe raportimin e performancës së ndërmarrjeve publike qendrore me qëllim t[ qeversjes së mirë koorporative të Ndërmarrjeve Publike,” – thuhej në njoftimin e ministrisë.

Për punësimin reagoi edhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit GAP, z. Blendi Hasaj.
Hasaj ka deklaruar me anë të një postimi në Facebook se përveç punësim politik, Prebreza nuk ka as CV publike.
“... në mundësinë e parë për të emëruar ndonjë profesionist/e në pozitën më kyçe në raport me ndërmarrjet publike, atë të udhëheqësit/es së Njësisë për ndërmarrje publike (NjPMNP-së) qeveria e VV-së dhe ministrja Rizvanolli zgjedhin ta emërojnë aty një aktivist/anëtar të VV-së. Një person që nuk ka as CV publike, e lëre më të njihet në publik si ekspert i kësaj fushe!”