“S’jemi kokëfortë”: Kurti për dy ditë rresht kërkon heqjen e masave nga BE-ja - NACIONALE

“S’jemi kokëfortë”: Kurti për dy ditë rresht kërkon heqjen e masave nga BE-ja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës veç se ka ndërmarrë tani disa hapa për deeskalimin e situatës në veri, sipas asaj që u arrit në Bratisllavë. Megjithatë, Bashkimi Evropian s’i ka larguar ende masat, dhe pikërisht këtë, po e kërkon kryeministri Kurti. Çka deklaroi ai?

Para pak muajve, 27 vendeve të BE-së morën vendimin për prezantimin e disa masave ndëshkuese, politike e financiare, ndaj Kosovës.

Krejt kjo, si pasojë e situatës së shkaktuar në veri nga fundi i muajit maj të këtij viti. Dhe këto masa, siç deklaroi zëdhënësi Peter Stano para dy ditësh, u vendosën pasi pati mungesë të sjelljes “në mënyrë evropiane”.

“E kemi thënë disa herë, BE-ja është ndërmjetësues që po ndihmon të dy palët që të arrijnë kompromisin për të normalizuar marrëdhëniet. Çfarë kemi bërë pas eskalimit, kemi vendosur masa për shkak të mungesës së tyre për të filluar që të sillen në mënyrë evropiane.” – deklaroi ai para gazetarëve.

Kurti kërkoi heqjen e masave

Të enjten, derisa po fliste para gazetarëve Kurti edhe një herë kërkoi largimin e këtyre masave të cilat i konsideroi si të padrejta.

Madje, ai para mediave u shpreh se “sa më herët që të përfundojnë këto masa, aq më mirë”.

“Sa i përket masave, konsiderojmë se nuk janë të drejta. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që përfundojnë, aq më mirë, ne po bëjmë krejt çka mundemi e dijmë, por do të duhej që edhe partnerët e aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, sepse një Republikë demokratike si Kosova, meriton të ndihmohet e jo të ketë masa.” – tha kryeministri Kurti.

Në Tetovë, më i ashpër

Deklaratat e Kurtit rreth masave do të ashpërsoheshin më shumë, pas asaj që u tha në konferencë nga z.Stano. Derisa po qëndron në një vizitë jozyrtare në Maqedoninë e Veriut, Kurti nga Tetova deklaroi se “nuk është e logjikshme që të insistohet në masa kundër Kosovës”.

“...Ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në ndërtesat në tri komunat veri dhe kemi shprehur gatishmëri që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Prandaj unë besoj që nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshmet, prej atyre financiare deri tek vizitat e nivelit më të lartë…” – deklaroi Kurti për "Tv Koha".

Kurti u shpreh se ka shprehur gatishmërinë për mirëkuptim, por jo “në kurriz të vlerave evropiane në njërën anë, dhe ligjshmërisë së Kosovës në anën tjetër”.

Kështu, në fund ai tha se ka qenë parimor, e jo kokëfortë, dhe se “BE-ja bën mirë që ta pranojë këtë”.

“Unë kam qenë shumë konstruktiv, natyrisht që kemi shprehur gatishmërinë për të pasur mirëkuptim edhe për brenda të BE-së, por asnjëherë s’e kemi bërë këtë në kurriz të vlerave evropiane në njërën anë, apo të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës. Kemi qenë parimor dhe jo kokëfortë, dhe BE-ja bën mirë që ta pranojë këtë, e vlerësojë e mirëkuptojë sa më parë.” – deklaroi ai.

Ndërkohë, një deklaratë që u duk kushtëzuese, e tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq i cili la të kuptohet se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia mund të këmbehet me largimin e masave të BE-së.

“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë [heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës], nuk mund t'ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tone.” – ka thënë ai për REL.

Lajme të ngjashme