“S’jemi ‘bllok opozitar’, as “grup me të tjerët" – LDK-ja trash qëndrimet kundër një qeverie “jostabile”
Hendeku i thellë me Vetëvendosjen, refuzimi i çdo qeverie që nuk udhëhiqet nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kundërshtimi për të formuar “qeveri jostabile veç për hir të pushtetit.”
Këto, sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, janë qëndrime “kristal të qarta” të partisë, të cilat janë “përsëritur vazhdimisht” dhe do të mbeten të pandryshuara, pasi votuesit e kanë dhënë besimin e tyre mbi to.
“Mbi këto premisa, ne u votuam! Votuesi ynë, na dha besimin mbi këto qëndrime! Votuesi ynë, si para, njësoj pas zgjedhjeve - e gjen LDK të pandryshueshme në premtimet e saj.” – shkroi Kica Xhelili në Facebook.
Sipas saj, këto qëndrime shmangin përsëritjen e gabimeve të së kaluarës dhe garantojnë rritjen e Lidhjes Demokratike.
“Duke e vendosur LDK-në para interesave personale, ne po e vendosim Kosovën para gjithçkaje tjetër. Për ne, dobësimi i LDK nënkupton dobësim të vet Kosovës. Prandaj, gabimet nuk i përsërisim! Sot, i qëndrojmë besnik elektoratit tonë, qëndrimeve tona.” – tha ajo.
Në këtë kontekst, ajo shtoi se nuk pret që “kundërshtarët e LDK të pajtohen me ne.”
“Sot, nuk pres që kundërshtarët e LDK të pajtohen me ne. Në fakt, mospajtimi i tyre konfirmon se jemi në rrugë të duhur të përfaqësimit të votuesit tonë.” – shtoi deputetja.
Reagimi i Kica Xhelilit vjen vetëm një ditë pasi kryetari Abdixhiku gjatë një konference për media deklaroi se LDK-ja nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie pa postin e kryeministrit.
“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani.” – tha ai.
Ai gjithashtu bëri të qartë se LDK-ja nuk bashkëpunon në asnjë mënyrë me Lëvizjen Vetëvendosje në formimin e qeverisë së re.
“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos me partinë në pushtet. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV)”, deklaroi Abdixhiku teksa bëri të qartë se “LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vet politik karshi Lëvizje Vetëvendosje”.
Arsyeja qendrore e këtij qëndrimit të LDK-së, sipas Abdixhikut, qëndron te fakti se ata “nuk besojnë në një qeveri afatshkurtër”, teksa e lidhi stabilitetin e saj me zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës.
“Kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare.” – tha Abdixhiku.