Sindikalistët ia zënë derën Qeverisë - NACIONALE

Sindikalistët ia zënë derën Qeverisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Jo vetëm njëra, por të gjitha Sindiktat e Pavarura në Kosovë, sot do t’ia zënë derën Qeverisë së Kosovës. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot do të zhvillojë një protestë. Kjo po bëhet me kërkesë për rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.

Nisja bëhet nga Biblioteka Kombëtare në drejtim të Qeverisë, nga ora 11:30. E protesta të mbahet sot, u vendos tri ditë më parë nga përfaqësuesit e federatave sindikale në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Njoftimi i plotë i tyre:

Në takim u caktua këshilli organizativ, i cili do të përkujdeset për zhvillimin e qetë të protestës, e cila do të nisë me marshin prej Bibliotekës Kombëtare deri te sheshi ‘Skënderbe’, ku para ndërtesës së qeverisë, partnerit social do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e arsyeshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:

100€ nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, përfshirë edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme

Përcaktimi i pagës minimale

Miratimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë

Miratimi i Ligjit për Paga

Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti

Hartimi dhe nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse

Por Kosova rrezikon të përfshihet nga pakënaqësitë sociale, për shkak të projektligjit për paga

Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm publikë kanë paralajmëruar protesta dhe greva si formë presioni për miratimin sa më të shpejtë të këtij projektligji i cili ende nuk duket as në horizont.

Ligji i pagave është miratuar njëherë në shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në muajin pasues. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij - në janar të 2020-ës - institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç ka thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, ka konstatuar se ligji i miratuar nuk është në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji është shfuqizuar dhe që nga ajo kohë ka mbetur pezull, kryesisht për shkak të zhvillimeve politike, që kanë përfshirë disa palë zgjedhje në vend.

E Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, thotë se institucionet nuk kanë dhënë informacione se në cilën fazë të hartimit është projektligji për paga.

“Pakënaqësia më e madhe është se përse Qeveria po i mbyll dyert dhe po i ik dialogut me SBASHK-un dhe sindikatat e tjera... Ky dialog po mungon dhe kjo po krijon tensione shtesë, sepse ne nuk po kemi përgjigje zyrtare për shumë çështje”.

Sipas tij, SBASHK-u kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të ndajnë mjete shtesë - 100 euro në muaj - për të gjithë të punësuarit në sistemin e arsimit dhe kulturës, derisa të fuqizohet projektligji për paga dhe të nisë së zbatuari.

Ligji i shfuqizuar ka paraparë rritjen e pagës së një mësimdhënësi të shkollës fillore nga 470 euro në 612 euro; të një arsimtari të shkollës së mesme nga 525 në 621 euro, dhe të asistentëve dhe profesorëve universitarë nga 1,070 në mbi 1,338 euro.

Punëtorët e administratave të gjykatave dhe prokurorive kanë qenë në grevë nga data 1 deri më 18 mars, duke kërkuar po ashtu rritje pagash

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, procesin e Ligjit të Pagave tashmë e kanë kthyer në pikën zero. Edhe pse ishte paraparë që konsultimet publike për projektligjin e pagave do të fillojnë gjatë marsit, kur do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile. Megjithatë, deri me datën 30 të këtij muaji nuk ka pasur njoftim për ndonjë debat të tillë. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme