Si po e mban pushteti në pozitë njeriun me aktakuzë?
Selajdin Beqa, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës, po vazhdon ta mbajë këtë pozitë pavarësisht keqpërdorimit të pushtetit.
Beqa, i cili ka aktakuzë për dhunë fizike e shkelje të hapura ligjore në proceset administrative, siç raporton Paparaci, po vepron me mbështetjen e pushtetit.
Kohë më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për sulmin ndaj Shemsi Elezit, kolegut të tij që mban pozitën si drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Konkurrencës.
Beqa nuk ishte ndalur me kaq. Siç kishte raportuar Nacionale, ai i kishte nisur letër ministrit të Brendshmë, Xhelal Sveçla për t’u pajisur me leje për mbajtje të armës gjatë gjithë kohës.
Në letrën e publikuar thuhej:
“Tani në proces të punës së bashku me Komisionin kemi hapur disa procedura hetimore të ndjeshme në tregun e Kosoës, e që mund të preken interesa të mëdha, të kompanive të fuqishme, me qarkullim dhe shtrirje të madhe në treg. Pa e paragjykuar epilogun e përfundimit të këtyre hetimeve, konsideroj se këto procedura mund të rezultojnë me gjoba të mëdha dhe kjo duket qartazi se mua personalisht më ekspozon ndaj rrezikut të përgjithshëm”.

Për të, ishte raportuar edhe se ka vëzhguar në mënyrë të paligjshme punonjësit dhe ka manipuluar procesin e rekrutimit.
Zyrtari i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë do të duhej pezulluar nga puna në momentin që i ishte ngritur aktakuza.
Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, Neni 69 “Pezullimi sipas Detyrës Zyrtare”, pika 1.5., “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj/tij”.
Teksti i plotë në Paparaci.