Si po e lexojnë të gjitha partitë sipas qejfit aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese?
Pozitë e opozitë, janë shprehur se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ua ka konfirmuar qëndrimet e tyre.
VV-ja në njërën anë po thotë se Kushtetuesja e ka lejuar votimin e fshehtë, e opozita po e akuzon VV-në se nuk po zhvillon bisedime, sipas aktgjykimit që u publikua dje.
Deputeti Hekuran Murati tha se qysh sot duhet të kryhet kjo punë.
“1. Votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra lejohet. 2. Të gjitha partitë duhet të angazhohen për të konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në kryesi të Kuvendit. 3. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim. Këto i kemi thënë që nga dita e parë. Këto i paska thënë edhe Gjykata Kushtetuese. S’ka nevojë as 30 ditë të pritet. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë, dhe kryhet kjo punë", tha Murati.
Krejt mendim të ndryshëm, Gjykata Kushtetuese shprehu, sipas Memli Krasniqit.
“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Siç kemi theksuar që në fillim, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt. Gjatë tërë kësaj kohe, Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale. Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se Kushtetuesja ishte për votim të hapur e kompromis.
“Votim i hapur - siç është vepruar gjithnjë - konsensus e kompromis - siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike. Ky është thelbi i vendimit të sotëm. Kështu kishim kërkuar gjithnjë. Dhjetra seanca të humbura, për teke të imponimit që u konstatua si jokushtetues sot. Nga nesër, LDK pret që grupi më i madh parlamentar të veprojnë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Votim i hapur. Konsensus e kompromis”, tha ai.
Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se ky aktgjykim, duhet të jetë nxitje për dalje nga bllokada.
“Prej ditës që e kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatë, më 12 maj 2025, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për epilogun eventual të saj, gjithnjë duke mos dashur të interferojmë në vendimin e Gjykatës. Nuk mund të mos shprehemi të lehtësuar që kërkesa e AAK-së për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar. Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka shkruar Haradinaj.