Si e lejoi Serbia të arratiset ushtarakun e dënuar për krime lufte në Kosovë
Pavle Gavrileviq e Rajko Kozlina. Këta janë dy emrat e udhëheqësve të njësive që kishin dhënë urdhër për kryerjen e një masakre të tmerrshme në fshatin Tërnje të Suharekës me datë 25 mars 1999, në të cilën u vranë 30 civilë, prej tyre sot e asaj dite 17 llogariten ende të zhdukur.
Gazeta Nacionale dje ka sjellur rrëfimin e Bekim Gashit, dëshmitar dhe i mbijetuar i kësaj masakre i cili për dy dekada nuk ka rreshtur së kërkuari drejtësi për nënën dhe katër motrat e tij që i ka ende të zhdukura.
Përderisa Pavle Gravrileviq ishte liruar nga të gjitha akuzat, Serbia për herë të parë pranoi një krim lufte në Kosovë, duke e dënuar me 15 vjet burgim Rajko Kozlinan. Megjithatë, në momentin që u afru koha për ta vuajtur dënimin, ai u arratis. Arratisja e tij nuk ishte krejt e rastësishme. Kozlina kishte gjatë gjithë gjykimit funksione publike në Ushtrinë e Serbisë.
“Rajko Kozlinën e dënuan me 15 vjet burgim për vrasjen e 15 personave. Gjykata nuk e dënoi krejt zinxhirin komandues, por e fajësuan vetëm këtë individ. Ai tash është në arrati me ndihmën e shtetit serb, i cili ua ka ndërruar edhe adresën, sepse ndryshe nuk kish’ mujtë me ikë.”, tregon Bekim Gashi për Nacionalen.
Megjithtë Bekimi ndihet se ka fituar diçka. Edhe pse jo drejtësinë, të cilën thotë se që nga fillimi e kishte ditur se nuk do të ngadhënjente.
“E kam ditë që gjykimi nuk do të jetë i drejtë. Çfarëdo dënimi që ata kishin marrë, mua nuk ma kthen familjen. E kam pasë një synim që gjatë procesit me u zbulu ku kanë mbetur trupat. Kam punu e kam luftu vetë, me krejt ushtrinë e Serbisë. Diçka kam arritë: është procesu një krim dhe Serbia e ka pranu atë krim, e ka pranu që e ka kryer atë masakër”, ishin fjalët e fundit të Bekimit.

Forat e njëjta paramilitare serbe, një ditë më pas vazhduan terrorin. Më 26 mars të vitit 1999, u krye masakra në familjen Berisha, pikërisht në Suharekë. Aty mbetën të vrarë më shumë se 50 të vrarë të kësaj familjeje.
Serbia fsheh kriminelët
Pavle Gavriloviq e Rajko Kozlina, përgjatë gjithë gjykimit luanin me gjykatën. Herë shkonin, e herë jo. Këtë tallje e çuan deri në fund. Rajko Kozlina u arratis, e Gavriloviq endet në liri me detyra zyrtare në pushtetin serb.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd ka konfirmuar për gazetën Nacionale, se institucionet serbe nuk kanë shfaqur interesim për arrestimin e Kozlinës. Madje, nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet ai.
“Ai nuk është i disponueshëm për autoritetet serbe. Institucionet e Serbisë janë përgjegjëse për ndjekjen penale, por edhe për të siguruar që i dënuari ta vuajë dënimin. Arratisja nuk do të mund të realizohej pa mbështetjen e institucioneve që i mundësojnë Kozlinës kalimin e kufirit”, ka thënë Fondi për gazetën Nacionale.
Shpresë për gjykimin e qindra masakrave në Kosovë, nuk ka. Madje as në Dhomat e Specializuara. Pavarësisht që sipas legjislacionit të Gjykatës Speciale aktakuza mund të ketë edhe ndaj serbëve, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme.
Por si ndodhi masakra?
I kobshëm ishte 25 marsi i vitit 1999 për fshatin Tërnje në Suharekë. 30 persona u vranë e u masakruan nga forcat ushtarake e paramilitare serbe. Gjithë tmerrin e asaj dite e pa Bekim Gashi, i cili në këtë maskër humbi nënën dhe katër motrat. Që nga viti 2000 e tutje, Bekimi do të kthehej në simbol të rezistencës e luftës për drejtësi. Drejtësi të cilën ai e kërkoi për gati një dekadë midis Beogradit. Gazeta Nacionale sjell rrëfimin e Bekim Gashit, dhe betejën e tij për drejtësinë e bekuar.
“Ende më rrinë në mendje britmat e nanës që kërkojke ujë, e s’kisha mundësi me i dhanë.”

Marsi është muaji më i vështirë për Bekim Gashin. Si i mbijetuar i masakrës në fshatin Tërnje të Suharekës, ai e ka të pamundur t’i harrojë momentet kur më 25 mars të vitit 1999, u nda nga familja e tij.
“Më 25 mars, ka qenë ora 06:00 e mëngjesit. Kam qenë në shtëpi bashkë me nënën dhe katër motrat. U rrethuam nga forcat serbe, e me insistimin e nënës jemi ndarë nëpër shtëpi të familjarëve pasi nuk kemi mujtë me u largu. Në shtëpinë ku kam qenë unë, të axha Bajram e kanë gjuajtë serbët një bombë. E në shtëpinë ku ishte nëna me katër motrat, i kanë nxjerrë në mes të oborrit edhe i kanë ekzekutu.” Në këtë moment, Bekimi ka nevojë për pak pushim. Rikthimi i këtyre emocioneve me fjalë, duket se ia kthen edhe pamjet e tmerrshme të asaj dite.
Dhimbja i shtohet pasi 23 vjet pas luftës, trupat e nënës dhe katër motrave të tij, ende nuk janë gjetur.
“Në përvjetor si ky, të gjithë kanë vende me vendosë lule, unë që 23 vjet nuk kam asnjë informatë nga askush. E vështirë është”, tregon Bekim Gashi për gazetën Nacionale.
Nga 30 të vrarët në masakrën e fshatit Tërnje të Suharekës, 17 prej tyre, sot e asaj dite figurojnë të zhdukur.
Rrëfimin e plot mund ta lexoni KËTU