Shumica refuzon për të 39-tën herë 'nënshtrimin ndaj diktatit të Kurtit'
Një tjetër seancë e dështuar, një tjetër ditë e humbur për funksionimin e institucioneve dhe një tjetër, sipas leximit të shumicës së deputetëve, shfaqje e arrogancës dhe mungesës së kompromisit nga ana e deputetit të VV-së, Albin Kurti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, reagoi ashpër ndaj mënyrës së udhëheqjes së seancës nga Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Çitaku e akuzoi Deharin se po abuzon me detyrën dhe po e shkel Kushtetutën, duke i kërkuar të rikthehet në rendin e ditës.
“Sot, me vetëdije të plotë, kryesuesi po abuzon dhe po e shkel Kushtetutën. Kjo sjellje është e papranueshme. Ju lutem, rikthehuni në rendin e ditës për seancën,” deklaroi para deputetëve.

Thirrje për respektim të kushtetuës bëri edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i cila kërkoi kthim në rendin e ditës.
“Zoti Dehari ktheu në rendin e ditës”, deklaroi ajo, për t'iu ndalur fjala më pas.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e përshkroi situatën si të qëllimshme pas përfundimit të seancës.
Sipas Haradinajt, qasja e Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij po e çon vendin drejt një bllokade politike.
“Me u angazhu me u kthy procesi i votimit i hapur, sot provuam me reflektu këtë. Vërtetë është situatë e vështirë, shihet se Kurti dhe kolegët e tij e kanë nda menen me vështirësu jetën e Kosovës. Pra ua ka dhënë mundësinë Gjykata me u kthy në votim të hapur, ata nuk e respektojnë këtë. Është një situatë e rëndë. Po na ftojnë por po e mbajnë të bllokuar procesin, ne propozuam që të kthehemi në kushtetutshmëri. Duhet me pa në të ardhmen si me vepru”, tha Haradinaj.

Ndërsa kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i përshkroi zhvillimet e sotme si dëshmi të "abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionet që i udhëheq ai."
Ai shtoi se vendimi i kësaj gjykate e ka bërë të qartë se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës, dhe veprimet e përsëritura në seanca të njëpasnjëshme e konfirmojnë, sipas tij, mungesën e respektit të VV-së ndaj këtij autoriteti.
“Gazetarë, ju, dhe qytetarët që na kanë përcjellur janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionet që i udhëheq ai. Nuk është situata e njëjtë si para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai aktgjykim e ka bërë të qartë që nuk mund të ndryshohet rendi i ditës, aq më pak në mënyrë arbitrare, dhe insistimi i njëjtë sot, sikurse në seancat e kaluar,a i bie që për Albin Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere”, tha ai.
