Takim i kotë Scholz-Kurti: Asnjë rezultat dhe asnjë fjalë e re nga udhëtimi i kryeministrit në Berlin
Ka përfunduar takimi mes kancelarit Olaf Scholz dhe kryeministrit Albin Kurti, e ka përfunduar edhe konferenca e tyre e përbashkët për media. Çka ndodhi?
Është e vështirë të thuhet se çka është diskutuar saktësisht në takimin dypalësh, por nga ajo që u tha në konferencën për medie del se nuk ka pasur ndonjë temë që është diskutuar me urgjencë.
As çështja e dialogut të Kosovës me Serbinë.
SCHOLZ

Kancelari Scholz nuk dha ndonjë zotim apo qëndrim të ri të Qeverisë që udhëheq sa i përket Kosovës. Sidoqoftë, vlen të përmendet se pozitiv ishte paralajmërimi i liberalizimit të vizave, edhe pse paralajmërimet asnjëherë nuk kanë munguar nga Gjermania.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë zotim i Qeverisë që unë drejtoj”, u shpreh ndër tjerash pasuesi i Angela Merkelit.
Sa i përket dialogut, Scholz i kërkoi kryeministrit tonë përkushtim dhe bashkëpunim konstruktiv. E kryeministri ynë tha që i kishte këto atribute.
KURTI

“Në lidhje me dialogun me Serbinë, e njoftova kancelarin se Kosova është proaktive. Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke... Pikëpamja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër e jo në fund. Ne jemi të përkushtuar që të ecim shpejt”, ishin fjalët e fundit në konferencë të kryeministrit Albin Kurti.
Ai përmendi një nga një të gjitha ato që i konsideron si arritje përgjatë një viti e një muaji në pushtet.
“Ndihem i nderuar që jam këtu si kryeministër dhe Qeveri e re e Kosovës. Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik për Kosovën... me Kancelarin e kemi shfrytëzuar mirë kohën për të folur për dy tema të rëndësishme për vendet tona dhe për fatin e kontinentit tonë. Temë e parë ishte Lufta e Ukrainës. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me popullin e Ukrainës...”, tha Kurti duke vazhduar të fliste më tej për luftën në Ukrainë.
E pikërisht lufta në Ukrainë dhe qëndrimi i Kosovës për agresionin rus ishte kryetema e këtij takimi, ndërsa e dyta ishte (sic) “bashkëpunimi rajonal”.
Pas takimit me Kurtin, Scholz do të takojë edhe presidentin e Republikës së Serbisë, z. Aleksandër Vuçiq.
Kujtojmë se Scholz është në krye të qeverisë gjermane prej dhjetorit të vitit 2021 dhe deri tash opinioni publik në Kosovë nuk ka pasur njohuri të mjaftueshme në lidhje me risitë në qëndrimet e saj për vendin tonë, dhe posaçërisht dialogun me Serbinë.
Kurti e ftoi kancelarin Scholz në Prishtinë, dhe ky i fundit premtoi që të vinte për të vazhduar diskutimet në temat që ishin hapur në takim. Por, është e vështirë të thuhet që ky takim ishte i frytshëm marrë parasysh ato që u folën në konferencën pas takimit.