Shuarja fizike e amerikanëve që mbështetën Kosovën
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kosovarët vazhdimisht kanë besuar se SHBA-të do të ndalonin keqtrajtimet e Serbisë ndaj tyre. Ata brendësuan qenësisht Amerikën si figura e shpëtimtarit nga jashtë që medoemos do të ndërhynte për të vendosur drejtësinë e munguar aq gjatë.
“Shqiptarët e Kosovës e kuptonin Washingtonin si një Hollyëood dhe Bill Clintonin nuk e ndanin nga Bruce Willis” – shkruante publicisti, Blerim Shala në rrëfimet e tij të përmbledhura në “Librin e Fitores”.
Ky besim, gati mistik i kosovarëve, në fakt ishte i bazuar në përkrahjen e madhe e të vazhdueshme mbi partiake të elitës politike amerikane të viteve 90-të. Në fund, besimi në Amerikën nuk doli bosh, pasi që ishte politikanët nga 'toka e premtuar' që kontribuan në çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
23 marsi i vitit 2022 do të mbahet mend për ikjen në botën tjetër të ish sekretares së shtetit amerikan, Madeline Albright, e cila ishte ndër përkraheset më të mëdha të Kosovës. E udhëheqësit e kësaj të fundit, qoftë nga pozita apo opozita kosovare, ngushëlluan duke përkujtuar kontributin e mikes së madhe të Kosovës.
Vdekja e gruas së fuqishme, që për një mandat ishte kryediplomatja e Departamentit të Shtetit, shënon edhe një humbje të madhe në klubin e përkrahësve të kosovarëve në rrugën e lirisë e pavarësisë.
Në nderim të saj, sot Kuvendi i Kosovës në seancën përkujtuese të fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbajti një minutë heshtje. Ndërsa Presidentja Vjosa Osmani, me anë të një dekreti e ka shpallur të premtën ditë zie.
Por, krahas shuarjes fizike të Albright, Kosova ka vite që po humbë përkrahësit e saj të dikurshëm si pasojë e vdekjes.
Humbjet e mëdha
Albright ishte ndër përkraheset më të fuqishme të kosovarëve gjate orëve më të liga në historinë e vendit. Si pjesë e Administratës Klinton, gruaja e parë sekretare shteti u bë avokuesja e palëkundër për intervenim ushtarak për të parandaluar një gjenocidë tjetër në Ballkan.
E kur bota perëndimore do të fillonte bombardimet mbi ish-Jugosllavinë, intervenimi i NATO do të quhej nga shumëkush si lufta e Albright.
Një tjetër mik i madh i shqiptarëve, ndëroi jetë katër vite më parë.
Ishte nëntori i vitit 2018 kur George H. W. Bush, president i 41-të i Shteteve të Bashkuara, u nda nga jeta në moshën 94 vjeçare.
Në kujtesën kolektive të kosovarëve, Bushi i Vjetër mbahet mend për paralajmërimin ndaj ish presidentit Sllobodan Millosheviç se Kosova është ‘vija e kuqe’ amerikane.
Nëpërmjet një letre, e që më vonë do të njihej gjërësisht si Kërcënimi i Kërshëndellave, ish-presidenti amerikan i qartësoi Kasapit të Ballkanit se asnjë agresion serb mbi Kosovën nuk do të tolerohej.
Ndonëse kontriboi shumë për pavarësinë e Kosovës, Tom Lantosh, ish-kongresmen, nuk arriti ta përjetojë ngjarjen më të rëndësishme në hisotrinë e kosovarëve.
Me 11 shkurt të 2008, vetëm 1 javë para se Kosova të shpallte pavarësinë, ish-kongresmeni demokrat, që me prejardhje ishte nga Hungaria, mbylli sytë përgjithmonë.
Ish-kongresmeni hebre mbahet mend për vizitën e tij të famshme në Kosovë në vitin e largët 1990. Së bashku me Bob Dole, ish-senetaor i njohur nga Partia Republikane, dhe shumë aktivistë të lobit shqiptaro-amerikan hodhë dritë mbi keqtrajtimet që u ndodhnin shqiptarëve të Kosovës.
Edhe Dole, një përkrahës i jashtëzakonshëm i çështjes kosovare, ka më shumë se një muaj që ka ndërruar jetë.
Njëjtë si Lantosh, Dole ka një vend të merituar në mendjet e zemrat e kosovarëve pasi që vizita e vitit 1990 ishte ndër vizitat e para të një delegacioni amerikan në Kosovë.
Kjo vizitë llogaritet si më të rëndësishmet pasi që shënjon ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës në Washington. Dole, sikurse vet Lantosh, do të përkrahte edhe intervenimin e NATO-s, pavarësinë e shtetndërtimin e Kosovës.
Të pensionuarit dhe njeriu i fundit në këmbë
Ndonëse të gjallë, Eliot Engel e Joseph Diogardi, i pari 75 vjeç e tjetri 81 vjeç, janë të pensionuar nga roli aktiv në politikën amerikane. Të dy amerikanët njihen për kontributin e madh në ndërkombëtarizimin dhe përkrahjen e pa kursyer ndaj kauzës së kosovarëve për liri e pavarësi.
Madje gjatë viteve 90-ta për shkak të vizitës në Kosovë e përkrahjes aktive ndaj kosovarëve, Diogardi do të shpallej person i padëshirueshëm nga regjimi i Millosheviçit.
Edhe James Baker, ish-sekretar i shtetit në Administratën e Bushit të Vjetër, është ende gjallë, por i pensionuar nga politika.
Edhe çifti Klinton, Bill e Hillary janë larg politikës aktive. Ish-presidenti amerikan Klinton kujtohet për urdhërin për të filluar fushatën e bombardimeve të NATO-s, që do të përfundonte me çlirimin e Kosovës dhe tërheqjen e forcave serbe.
Nga garda e vjetër, që ka lidhje edhe emocionale me Kosovën, ka mbetur vetëm një njëri i rëndësishëm. Në fakt, Joe Biden, njohës nga afër i çështjes kosovare, është aktualisht njëriu më i rëndësishëm i botës së lirë.
Presidenti i SHBA-së është ‘njeriu i fundit’ që qëndron ende në këmbë nga garda e politikanëve që filluan përkrahjen për Kosovën në vitet e 90-ta, atëherë kur vendi kishte pak miq në arenën ndërkombëtare.
Krahas Biden, edhe sekretari i shtetit, Anthony Blinken, është ndër njohësit e mirë të problemit ndërmjet Kosovës e Serbisë. Top diplomati amerikan ka vizituar disa herë Kosovën ndër vite dhe së bashku me Biden gjatë vitit 2009 qëndroi në shtetin më të ri të Evropës.
S’duhet harruar që edhe John Kery, dikur ish sekretar i shtetit e përkrahës i Kosovës, tash është pjesë e Administratës Biden në cilësinë e të dërguarit të posaçëm për çështje kilmatike.
E gjithë kjo përkrahje mbi partiake e amerikanëve të fuqishëm ka bërë që popullata e Kosovës të jetë më pro-amerikanja në botë.
Sikurse shoqëria, edhe shteti i Kosovës ka ndarë disa medalje presidenciale, ka emëruar sheshe e rrugë me emrat e atyre që ndihmuan për lirinë e pavarësinë e vendit.
Madje shumicën prej tyre i janë ndërtuar edhe buste nëpër lagje të ndryshme të kryeqendrës kosovare.
Një histori pak më ndryshe viteve të fundit
Epoka e pavarësisë solli herë pas here përplasje ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe miqve nga Amerika.
Nga përplasjet më të rëndësishme ishte kundërshtimi që gjatë vitit 2015 e 2016 i bënte opozita e bashkuar, VV, AAK e NISMA marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe asaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Duke parë këmbënguljen e opozitarëve, ishte vet Biden, atëbotë zëvendës president i SHBA-së, që vizitoi Kosovën në vitin 2016 nergut për të kërkuar votimin e dy marrëveshjeve. Por, ardhja e tij ishte mision i pasuksesshëm pasi që opozita nuk e respektoi kërkesën e mikut të madh amerikan.
Taksa ndaj mallrave serbe ishte një tjetër moment që lëndoi marrëdhëniet kosovaro-amerikane. Ndonëse amerikanët shumë herë shtruan të njëjtën kërkesë, Qeveria e udhëhequr asokohe nga Ramush Haradinaj, i rezistoi presionit të sponsorizuesve të shtetit të Kosovës.
Një moment tjetër, i thellë i çarjes në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës e Washingtonit së u pa gjatë kohës sa në Shtëpi të Bardhë ‘banonte’ ish-presidenti Donald Trump e në Kosovë qeveriste kryeministri Kurti.
Viti 2020 do të mbahet mend pikërisht për përplasjen ndërmjet Kurtit e Richard Grenell, ish i dërguari i posaçëm i Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Qëndrimet e kundërta për taksën e dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit, shkaktoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti I. E ky i fundit, nuk e kurseu Grenellin duke e akuzuar se ishte ideatori i rrëzuarjes së tij nga pushteti.
Kujtojmë që Kurti, ndonëse ka 1 vit që drejton Qeverinë, ende nuk ka udhëtuar për në kryeqendren amerikane. Madje që nga vjeshta e kaluar, Kurti po ndryshon datën e udhëtimit në ShBA, teksa tashmë ka thënë se është muaji maj do të shënon vizitën e tij të parë në Washington.