Shtyhet për në ora 23:00 seanca për presidentin
Seanca për zgjedhjen e presidentit është shtyrë për në orën 23:00.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ende pa nisur votimi, u shpreh:
“I kemi edhe disa orë para se të bëhet ora 12, me këtë rast po e vlerësoj të rëndësishme q ëta mundësojmë edhe një seancë, pra vazhdimin e një séance. Uroj mirëkuptimin e deputetëve që kanë ardhë në vazhdimësi, kërkoj mirëkuptimin e mediave për angazhimin dhe prezencën e tyre.
Jam e detyruar që edhe këtë seancë ta ndërpres këtu, dhe t’ju bëj thirrje që në orën 23:00 të vijnë në seancë plenare”.
Para se të fillonte kjo seancë, Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se pas mbledhjes së Kryesisë, ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj në gjithë vendin.
Nga mbledhja është kërkuar mobilizim i plotë i strukturave partiake, me qëllim, siç thuhet, mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës.
PDK ka ritheksuar se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që, sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën, duke paralajmëruar veprime demokratike dhe institucionale.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, citohet të ketë deklaruar se nëse sonte procedohet me atë që partia e quan “zgjedhje antikushtetuese”, do të ketë reagim të organizuar.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka thënë Hamza.
Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku para pak minutash foli para mediave, ku pyeti pse Vjosa Osmani po i pengon Albin Kurtit.
“Nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV, nuk është subjekt ku duhet t’i dorëzojmë. Çka po kuptoj prej këtij procesi është e qartë, Kurti do një kundërkandidat për njëren nga kandidatët e vet, do kuorum ta zgjedhë presidentin karate, prandaj në rrethana të tilla është lojë politike.
Qëndrimi i LDK-së është i qartë, më i qartë se i Kurtit dhe VV-së, ne kemi 15 nënshkrime për kandidaten e LDK-së. Ai duhet të na tregoj a i ka pasur votat për Vjosa Osmani, në këto rrethana ai kërkon kundërkandidat. Ne jemi në orët e fundit, po shkojmë drejt një situate të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Ndjej keqardhje që fillimisht është tentuar të përmbyset rendi kushtetues, ndjej keqardhje që Kurti nuk ka arritur të shpreh gatishmërinë për consensus, për një emër që unë e vlerësoj, ajo që s’arrij me kuptu është pse Vjosa Osmani po i pengon kaq shumë Albin Kurtit. Ndoshta Kurti nuk do me zgjedhë, por jam i bindur që populli i Kosovës ka me zgjedhë”.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri të ditur se deputetët e AAK-së nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit.
Duke folur para gazetarëve, Haradinaj tha se partia e tij është përjashtuar nga përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për këtë proces.
“Ne realisht na kanë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Ndoshta sikur të kishim qenë pjesë e procesit nga fillimi ndoshta kishim mundur me i ndihmuar.
Ajo që është me rëndësi është të mos vazhdohet me shkelje të Kushtetutës e votimit pa kuorum, sepse e çon vendin në drejtim të rrezikshëm. Nuk jemi pjesë e seancës. Kjo është lëvizje pa konsultë, pa dakordim, pa marrëveshje”, tha ai, raporton Kosovapress.
Haradinaj paralajmëroi se vazhdimi i procesit pa kuorum dhe pa dakordim politik do ta fuste vendin në një drejtim të rrezikshëm.