Shqipëria nuk mund të bëhet qesharake për shkak të Sali Berishës - NACIONALE

Shqipëria nuk mund të bëhet qesharake për shkak të Sali Berishës

1 vit më parë

nga Mero Baze

Reagimi i Sali Berishës dhe mbështetësve të vet pas zgjerimit të lakut të “non grata”-s edhe në Britaninë e Madhe, vendos zyrtarisht Partinë Demokratike në një linjë sfiduese me Perëndimin në Shqipëri.

E di që shumë vetë thonë se vendimi vlen më shumë për të bërë qesharak Sali Berishën dhe mbështetësit e tij trushpëlarë, duke argëtuar opinionin publik me shpjegimet e radhës. E di po ashtu se mijëra opozitarë normalë ulin kokën dhe dëshpërohen dyfish kur ai i trajton si idiotë, duke u mbushur mendjen se SHBA, Anglia dhe Perëndimi në tërësi janë të blerë nga mafia kundër tij.

Por përtej këtij argëtimi kombëtar me një plak të rrjedhur, Shqipëria duhet të dëshmojë disa standarde që nuk ka degraduar dhe nuk mund të identifikohet me ezhenë e kokës së Sali Berishës.

Së pari, drejtësia shqiptare, e cila në shumicën e saj kapton gjuhën kur i kujton Sali Berishën, duhet të veprojë. Nuk dua të ripërsëris sa çështja të mëdha, të rënda apo të lehta ka Sali Berisha, por ai duhet të ballafaqohet me drejtësinë.

Nikolla Gruevski është në arrati i dënuar nga drejtësia për një çështje në dukej banale, pse i ka shkatërruar biznesin një biznesmeni për arsye politike.

Nëse doni këtë standard, keni dy redaksi të shkatërruara nga Sali Berisha, për të cilat është fituar dhe gjyqi dhe shteti ka paguar për hakmarrjet politike të Sali Berishës. Gazeta “Koha Jonë” më 1997 dhe gazeta “TemA” më 2009.

Edhe gazeta “Koha Jonë”, edhe gazeta “TemA” kanë fituar gjyqin kundër arbitraritetit të shtetit të Sali Berishës, ndërsa shkatërruesi nuk është prekur. Përdoreni këtë standard dhe e arrestoni për gjysmë ore, meqë keni frikë të hetoni. Merrni dy dosjet e gjyqit dhe vazhdoni punë.

Keni dhe kronika televizive dhe dëshmi nga shtypi për secilin rast.

Së dyti, ata që kanë mbetur në opozitë si deputetë të PD dhe që torturohen çdo ditë se çfarë mendon Sali Berisha për ta, duhet ta ndajnë mendjen dhe t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë mendojnë ata për Sali Berishën. Nëse e duan, nëse mendojnë se e ardhmja e këtij vendi është e lidhur me të, të shkojnë me Sali Berishën dhe të çlirojnë opozitën nga raca e njerëzve që e kanë politikën bordero.

Opozita shqiptare duhet të ringrihet përballë Sali Berishës dhe pa asnjë shenjë kompromisi me të. Të gjithë rrogëtarët e tij le të shkojnë me të. E rëndësishme është të qartësohet kush e shikon të ardhmen në politikë me Sali Berishën dhe kush do të ndërtojë të ardhmen e vet në politikë.

Së treti, aleati politik i Sali Berishës, Ilir Meta, një tjetër personazh po kaq i izoluar nga Perëndimi, që deri të dielën mbrohet me jelekun antiplumb të presidentit të Shqipërisë, është po kaq i padëshirueshëm në Perëndim sa Sali Berisha.

Ai ka kohë deri pasnesër të ndajë dekorata dhe të shkëmbejë eksperienca gastronomike, apo dietike me Vjosa Osmanin, të cilës e vetmja kurë që i bën mirë, është kur derdh helm për Shqipërine, por pas së dielës, ai është po ashtu një shënjestër e izolimit nga Perëndimi.

Për këtë arsye Shqipëria nuk ka luks të bashkojë opozitën rreth një formacioni anti-perëndimor

Të sfiduarit e Perëndimit në emër të opozitës, e kthen Shqipërinë në një vend ku Lindja lufton me Perëndimin, si raport elektoral. Edhe pse ata mbeten në opozitë, serish kjo është një gënjeshtër, pasi opozita e tyre dhe votuesit e tyre nuk janë të gjithë anti-perëndimor dhe nuk duhen lënë të identifikohen me hallet e dy njerëzve.

Sali Berisha është i lirë ta kthejë në sfidë me Perëndimin damkosjen tij familjarisht si familje hajdutësh dhe minues të demokracisë, por Shqipëria nuk ka luksin ta sodisë këtë dordolec qesharak. Ajo duhet t’i tregojë vendin.

Lajme të ngjashme