“Shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste”, policia arreston dy persona
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit ka realizuar një operacion, i cili ka rezultuar me arrestimin e dy personave që dyshohen për veprën ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’.
Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se operacioni ka përfshirë dy raste të ndara.
Sipas policisë, të arrestuarit dyshohen për shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale.
“Pas një pune operative-hetimore nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.