Shoqëri copë-copë
Shkruan: Gazmend Demolli
Askush më nuk po i flet gjithë shoqërisë. Askush nuk po e mendon më të mirën e të gjithëve, pa dallim. Secili gjen një copë shoqërie të cilës i flet, dhe një copë tjetër të cilën e shan dhe i bërtet.
Debati demokratik do të duhej të ishte se kush ka idenë më të mirë, rrugën më të mirë për mirëqenien e të gjithëve, për zhvillimin e shoqërisë dhe të kombit. Asnjëherë nuk duhet të ishte se si të nxisim një copë shoqërie kundër tjetrës, se si ta afirmojmë një copë shoqërie kundër tjetrës.
Secila copë kundër secilës copë.
A nuk është solidariteti gurëthemeli i një shoqërie, ai që një grup njerëzish e bën shoqëri.
Është copë-copë, kur askush nuk brengoset për një sistem pensional që funksionon, pak a shumë, vetëm për 3% të popullatës dhe të tjerët shumë shpejtë bien në regjimin e ndihmave sociale. Sa të mbyll sytë. Kurti, e lajmëroi një skemë të re, pa dhënë detajet, hi syve, dhe tha, Bac u krye! Një skemë e përkohshme që prek shumë pak pensionistë dhe që jep të drejta vetëm të pjesshme. Bac u krye! Kur, bre, u krye? A vetëm kaq paska qenë projekti progresiv?
Copë po bëhemi edhe për veteranët e luftës. Një shoqëri duhet të jetë mirënjohëse ndaj atyre që sakrifikuan që ky vend të jetë i lirë. Për t’i ikur detyrës morale të jemi solidarë ndaj tyre, amalgamojmë gjithë dukuritë negative të pasluftës në copën që ata reprezentojnë. Pra një copë këndej: ne të mirët, qytetarët e denjë, që kemi qenë gjithmonë paqësorë, prej kohës së Jugosllavisë e deri sot; një copë andej – katunarët, Drenicakët. Veteranët. Mos rivalorizimi i pensionit të tyre për të marrë për bazë inflacionin, është johumane, është varfërim. Në vend të krijimit të një sigurimi shtesë shëndetësore, që të trajtojë nevojat e tyre për proteza dhe të tjera, edhe atë pak pension ua devalorizojnë deri në varfërim.
Kujdesi shëndetësor është solidaritet. Na bënë shoqëri. Na bënë bashkë.
Por, copës që janë mirë me shëndet nuk po u intereson fort copa që janë pak më të ligshtë. Thonë, s'kemi ç't'u bëjmë. Thonë, nuk mundemi ne të shëndoshët të përballojmë barrën e të sëmurëve, barrën e të moshuarëve, barrën e veteranëve, barrën e të papunëve.
Nuk mund të mos flas për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë e tyre në punë, por edhe sigurinë e tyre në papunësi. As këtë barrë nuk mundemi ta përballojmë. As që mundohemi.
Barrë! Sepse gjithmonë copa tjetër duket si barrë.
Nuk e kuptojmë se nëse sot jemi ata që e bartim barrën, nesër ne jemi vetë barra, në një aspekt o në tjetrin. Sot punojmë, nesër do të gjendemi të papunë. Sot jemi të shëndoshë, nesër do të kemi nevojë për kujdes shëndetësor. Sot jemi të rinj, nesër të moshuar.
Nuk kemi pajtueshmëri as për tatimin bazë, e mos të flasim për tatimin progresiv. Është iluzore të mendohet se shoqëria dhe shteti i mirëqenies do të zhvillohen vetëm me vullnetin e mirë, copëzat nuk bashkohen vetvetiu. Tatimi është gurëthemeli që lejon që individi të shndërrohet në shoqëri, njeriu në qytetar. Kjo qeveri ende nuk e ka harrnuar vrimën në ligj që mundëson që një kompani të paguajë dikë përmes dividendave dhe ato të mos mund të taksohen, sikur që është paguar Martin Berisha. E shumë të tjerë. A e dini çka thotë ajo copë e shoqërisë që kanë dhe marrin dividendë, për copën tjetër të shoqërisë?
Copë u bëfshin?
Është mallkim i madh.
Kemi shumë punë për të bërë për një shoqëri uniteti. Është, për shembull, Kodi Civil që duhet të aprovohet në mënyrë që të kodifikohen disa të drejta dhe rregulla shoqërore. Ende nuk ka kaluar, pikërisht sepse një copë e shoqërisë nuk e konsideron një copë tjetër si të saj, si të denjë të jetë e saj. Por përkundër dallimeve që kemi me njëri-tjetrin, ne duhet të krijojmë një hapësirë paqësore në këtë vend, një shoqëri për të gjithë.
Kur flas për të gjithë, pra për të gjithë qytetarët, edhe ata të etnive tjera pakicë, duhet të krijojmë një vend ku të gjithë kanë mundësi të barabarta për një jetë më të mirë. Romët dhe komunitetet tjera shpesh diskriminohen në punësim dhe në jetën e përditshme. Duhet të respektohen sikur secili qytetar tjetër. Qytetarët serb, poashtu, duhet të ndihen njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë. Sot, me shumë prej tyre dialogojmë vetëm përmes njësive speciale dhe forcave paqeruajtëse. Coptimi në këtë rast ka arritur në shkallën më të lartë të mundshme. Për faj të kujt? Sepse nuk e konsiderojmë tjetrin si pjesë të shoqërisë sonë. Të tërësisë.
Apo, ndoshta gjuha tradhton mendimin? Ndoshta Kurti mendon për të gjithë njësoj mirë, por vetëm shprehet si përçarës për hir të bazës së militantëve të skajshëm partiak. Këtë gjuhë mbase e ka qysh nga fillimi, do të ishte një performancë marramendëse nëse vërtetë gjithë kohën ua ka dashur të mirën të gjithëve, por i ka shajtur dhe shpifur vetëm për formë. Kurti, si shembull eklatant, por kjo vlen për shumicën e politikanëve.
Gjuha e tyre përçarëse pastaj zmadhohet dhe përkeqësohet në rrjetet sociale, ku dialogu konsiderohet si një luftë që kundërmon nga fyerjet ndaj secilit që mendon ndryshe ose që është përballë. Janë pasqyra më flagrante e shoqërisë copë-copë.
Copëzimi është bërë sport.