Shkundje e madhe në kryesi të LDK-së: Kërkohet dorëheqja e parevokueshme e Abdixhikut - NACIONALE

Shkundje e madhe në kryesi të LDK-së: Kërkohet dorëheqja e parevokueshme e Abdixhikut

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shpërthimi nga brenda LDK-së veçse ka nisur.

Rezultati zgjedhor që zbuloi tepojzën e madhe të mbështetjes popullore të kësaj partie, ka nisur të trazojë dhomën e drejtuesve të partisë.

Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dhënë dhe s’ka dhënë dorëheqje.

Jo dorëheqje të parevokueshme, por dorëheqje të ofruar “që e vendos Kuvendi i partisë a e pranon”.

Mbledhja pesë e orë e gjysmë e djeshme doli pa epilog të prerë, për të shpërthyer publikisht një ditë më pas, përkatësisht në mbrëmjen e sontme.

Hykmete Bajrami, u dorëhoq pa revokim nga posti i Nënkryetares së LDK-së.

Ndonëse praktikisht me ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut, e gjithë kryesia me nënkuptim i bie të jetë në dorëheqje, mesazhi i Bajramit dha tonet e prera: kjo drejtuesi e ka humbur legjitimitetin.

Kërkoi “dorëheqje të parevokueshme” nga Lumir Abdixhiku.

Dorëheqjen e parevokueshme ia ka kërkuar edhe Lutfi Haziri edhe Avdullah Hoti.

Për këtë të fundin, siç merr vesh Nacionale, “nëse nuk ka reflektim” do ta dorëzojë dorëheqjen nga kryesia qysh të hënën.

Dorëheqjen njësoj ia ka kërkuar edhe Haziri, “në mënyrë të prerë”, na tha një burim.

Abdixhiku u lajmërua menjëherë pas shkrimit të Bajramit, duke përdorur shprehje edhe si “eliminim politik”, që sipas tij, po synohet ndaj tij.

Por, tha ai “kuvendi vendos...jo ne si individ”.

“Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj!”, tha Abdixhiku, dhe shtoi se dorëheqjen e tij duhet t’ia konfirmojë Kuvendi i partisë, dhe kërkoi që “deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet”.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, tha Abdixhiku.

Bajrami në shkrimin e saj konstatoi se udhëheqësia e partisë nga Abdixhiku ka shpier në “rezultate të rënda zgjedhore” dhe se për këtë gjë duhet dhënë “përgjegji, dhe hapja rrugës së zgjedhjeve të brendshme”.

“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, tha ajo.

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”.

Lajme të ngjashme