Shkon Lumezi, e përmend Elezi: Ky është Lulzimi, kandidati i katërt për Kryeprokuror
Emri i tij u përmend nga ish-prokurori Elez Blakaj. E pozitën që kryeministri Albin Kurti e premtonte për Blakajn, po synon ta marrë Lulzim Sylejmani. Ky i fundit, është në mesin e gjashtë kandidatëve që kanë kandiduar ta pasojnë Aleksandër Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Avokat në vitet e 90-ta, sekretar në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore, e pastaj prokuror. Në këto funksione, është zhvilluar karriera e Lulzim Sylejmanit, që synon pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Pavarësisht një karriere më shumë se 20 vjeçare në sistemin prokurorial, emri i Sylejmanit u bë lajm në mediat vendore pasi u përmend nga ish-prokurori Elez Blakaj, që më pas vendosi të largohet në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u arsyetuar se ka pasur presione nga krerët e sistemit prokurorial për raste të caktuara.
Shkas për këtë ishin bërë hetimi që Lulzim Sylejmani bashkë me prokuroren Drita Hajdari dhe vetë Blakajn kishin nisur për aferën Pronto, dhe përgjimet që ishin publikuar në atë kohë. Në fillim prokurorët e këtij rasti kishin identifikuar tri vepra penale: shpërdorim i pozitës zyrtare e dënueshme deri në pesë vjet, ushtrim i ndikimit – e dënueshme deri në tetë vjet, dhe cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë.

Por, pasi vendosi të largohet nga Kosova, Blakaj përmendi emrin e Lulzim Sylejmanit, se ka qenë i pranishëm kur Kryeprokurori Lumezi kishte tentuar të ndikojë në rastin Pronto.
“Për më shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z. Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë”, kishte shkruar Elez Blakaj.
Por, përgjigja e Sylejmanit ndaj Blakajt ishte e shkurtër.
“S’merrem me atë çështje, s’merrem me Elez Blakajn, s’jam pjesë e problemit, as nuk më intereson, folni me këdo tjetër, me mua s’ka nevojë me folë. S’merrem me postime, ç’postime”, kishte thënë Sylejmani si përgjigje ndaj kritikave të Blakajt.
Si përfundim, aktakuza në rastin Pronto ishte ngritur nga prokurorja Drita Hajdari. Në fund të gjithë procesit, Adem Grabovci dhe të akuzuarit e tjerë, u liruan si të pafajshëm.
Aksidenti pas ndejës me kolegët prokurorë
Një ndejë për fundvit në vitin 2016, gati sa nuk kishte rezultuar fatale për prokurorin Lulzim Sylejmani. Duke u kthyer nga një organizim bashkë me kolegët e sistemit prokurorial, kishte ndodhur një aksident i rëndë, ku të lënduar kishin mbetur katër punonjës të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Më së rëndi e kishte pësuar Sylejmani, i cili si pasojë e lëndimeve, ishte detyruar të marrë trajtim jashtë vendit. Disa javë pasi mori tretman, ai ishte kthyer sërish në Kosovë, për ta vazhduar punën në Zyrën e Kryeprokurorit, pasi tejkaloi të gjitha problemet shëndetësore.
Pasuria e Lulzim Sylejmanit
Prokurori Lulzim Sylejmani po del se nuk është shumë i pasur, pavarësisht angazhimit të tij shumëvjeçar në Prokurori.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, nuk ka raportuar asnjë lloj të pasurisë së paluajtshme, madje as edhe një shumë monetare që e ka të kursyer. Një veturë që e ka raportuar në vlerë 5 mijë euro, ka thënë se i takon bashkëshortes së tij, si dhuratë nga kunata. Të hyrat vjetore të Lulzim Sylejmanit, kapin vlerën e 37 mijë eurove.
Pas Kujtim Munishit, Arben Ismajlit dhe Armend Hamitit, kandidati i radhës që do të raportojë Gazeta Nacionale është Shqipdon Fazliu.