Shkoi Lumezi, por s’ju pëlqen kurrfarë Elezi: Krejt në fund, VV po kall lojën për Kryeprokuror - NACIONALE

Shkoi Lumezi, por s’ju pëlqen kurrfarë Elezi: Krejt në fund, VV po kall lojën për Kryeprokuror

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Saktësisht një javë pas përfundimit të intervistave të kandidatëve për Kryeprokuror, janë shtuar thirrjet nga Lëvizja Vetëvendosje për anulimin e këtij konkursi, dhe nisjen e një procesi të ri nga pika zero. Fillimisht ishte deputeti Mefail Bajqinovci e pastaj edhe Adnan Rrustemi. Megjithatë, opozita kërkesën e VV-së po e quan ndërhyrje flagrante në drejtësi.

98% të pikëve në intervistim me gojë i mori kandidati për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj. Si rezultat, nëse nuk ndryshon diçka pas ankesave, emri i tij do të shkojë për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Por kjo mund të vështirësohet, pasi qeveria aktuale por edhe disa organizata të shoqërisë civile, po kërkojnë që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të kthehet në pikën zero.

Me këtë kërkesë, kryetari i Komsionit për Legjislacion Adnan Rrustemi një ditë më parë reagoi në rrjetin social facebook. Rrustemi tha se konkursi duhet të anulohet se nuk ka pasur transparencë, pavarësisht transmetimit të intervistave direkt në Radiotelevizionin e Kosovës.

“Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mosgarantimit të paanshmërisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent. Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence. Një gjë të tillë e thotë edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat kanë kërkuar me të drejtë anulimin.”, ka shkruar Rrustemi.

Një reagim për procesin e Kryeprokurorit e pati edhe deputeti, Mefail Bajqinovci, i cili tentoi t’i tregojë Këshillit se çfarë pyetjet duhet t’ua bëjnë kandidatëve.

Secilin nga kandidatët për kryeprokruror, komisioni vlerësues, është dashur ta pyeste se a e përkrahin procesin e vetingut...kjo do të ishte pyetja më e drejtë përmes përgjigjes të së cilës do e vlerësonim edhe integritetin moral dhe profesional të kandidatit për kryeprokuror”, kishte shkruar Bajqinovci.

Megjithatë, kërkesën e Vetëvendosjes që konkursi për Kryeprokuror të anulohet, po e kritikojnë ashpër partitë në opozitë. Madje, e cilësojnë si ndërhyrje e drejtpërdrejt në sistemin e drejtësisë.

Hajdar Beqa, anëtar dhe deputet i PDK-së në Komisionin për Legjislacion, ka thënë për gazetën Nacionale se zgjedhja e Kryeprokurorit nuk është punë e partive politike.

Çdo deklarim politik për zgjedhjen e Kreprokurorit është interferim, është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Është gabim shumë i madh nëse një politikan apo anëtar i Komisionit jep deklaratë të tillë. Kjo nuk na takon neve por Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe ata duhet të zgjedhin Kryeprokurorin me integritet”, ka thënë Beqa për gazetën Nacionale.

Anëtari tjetër i Komisionit për Legjislacion, deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri thotë se kjo tendencë e Vetëvendosjes është për ta shtrirë ndikimin politik në sistemin prokurorial.

Tendenca me rikthy në pikën 0 procesin legjitim në rastin e Kryeprokurorit por edhe në raste të tjera, është tendencë dhe qëllim me shtri ndikimin politik tek një institucion i pavarur. Në komisionin parlamentar jemi duke e trajtuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, dhe unë kam një mori komentesh dhe kundërshtimesh të cilat bien ndesh me parimin e sundimit të ligjit dhe paanësisë në drejtësi, andaj unë si anëtar dhe si AAK e kundërshtojmë këtë”, ka thënë Tahiri për gazetën Nacionale.

Megjithatë zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë të vetmit që komentuan për procesin e Kryeprokurorit. Për këtë foli edhe vetë kryeministri, Albin Kurti. Fillimisht, këtë e bëri në ditën e intervistave.

Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik. Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare”, kishte shkruar Kurti në facebook.

E në intervistën që e pati në televizionin publik, Kurti tha se për Kosovën është më i rëndësishëm Kryeprokurori se kryeministri.

Reagon Këshilli Prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj shoqërisë civile e zyrtarëve të Vetëvendosjes, që kërkuan anulimin e konkursit. Në një komunikatë për media, KPK ka vlerësuar se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit ka qenë i bazuar në meritokraci, transparencë dhe llogaridhënie.

“Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial. Krejt në fund, KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Si shkoi procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit?

Të premten e kaluar u zhvilluan intervistimet për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Ato u transmetuan një ditë më pas të plota në Radiotelevizionin e Kosovës. Gazeta Nacionale raportoi se kandidati më i vlerësuar doli Blerim Isufaj me 98 pikë ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në situatën aktuale, komisioni vlerësues ka pasur 5 ditë pune afat që t’i njoftojë edhe zyrtarisht kandidatët me poentimin. Nëse ndonjëri prej tyre janë të pakënaqur atëherë ata kanë 5 ditë tjera pune afat, që të ushtrojnë ankesë. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë për votim në Këshillin Prokurorial shkon vetëm emri i Blerim Isufajt. Kjo pasi sipas rregullores për zgjedhjen e Kryperokurorit, nëse një kandidat ka 3% më shumë se të tjerët, atëherë vetëm emri i të parit mund të votohet në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Blerim Isufaj duhet të marrë shumicën e votave të anëtarëve të KPK-së nga votimi i fshehtë, që të vazhdojë për dekretim tek presidentja e Kosovës.

Lajme të ngjashme