Shkëlqim Devolli takon Donald Trumpin, ky i fundit i kërkon një dyshek - NACIONALE

Shkëlqim Devolli takon Donald Trumpin, ky i fundit i kërkon një dyshek

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa tashmë po qëndron në Davos të Zvicrën, ku është pjesë e Forumit Ekonomik Botëror. Por, në SHBA po vazhdon të qëndrojë Shkëlqim Devolli, afarist i njohur kosovar, i cili ka takuar sot ish-presidentin amerikan, Donal Trump.

Në Florida të SHBA-së, biznismeni nga Peja është takuar me ish-shefin e Zyrës Ovale, i cili vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të Partisë Repbulikane.

Në takim, biznismeni Devolli e ka falënderuar ish-presidentin amerikan për angazhimin e tij rreth Kosovës. Bëhet e ditur, se Devolli i ka shprehur mirënjohjen e thellë për qëndrimin e drejtë të SHBA-së në lidhje me çështjen shqiptare.

Sipas njoftimit të Klan Kosovës, që është pronë e Devolli Cooperation, krahas mirënjohjes, Devolli e Trump diskutuan edhe për produktet e kompanisë kosovare, të cilat po shiten në tregun amerikan. Aty, theksohet se Devolli i ka treguar Trump për rritjen e eksportit të Kosovës në SHBA.

Duket se tash e tutje, Trump mund ta bëjë të qetë gjumin e tij, pasi që ish-numri një i Shtëpisë së Bardhë i ka kërkuar një dyshek të Comoditës, pronë e korporatës së Devollit.

Kujtojmë që Devolli qëndroi në Amerikë në të njëjtën kohë me shefin e ekzekutivit kosovar, Albin Kurti.

Ndryshe nga kryeministri, i cili nuk ka realizuar asnjë takim me ndonjë zyrtar të lartë amerikan, afaristi i njohur kosovar Shkëlqim Devolli gjatë vizitës në SHBA ka zhvilluar disa takime në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Siç ka shkruar ditë më parë Gazeta Nacionale, biznesmeni Devolli të enjten është pritur në takim nga Anne Morrison, zyrtare për çështje të Kosovës, dhe Robert Morgan, oficer për ekonominë rajonale në Zyrën e Marrëdhënieve të Evropës Jugore dhe Qendrore.

Gjithashtu, në takim në Departamentin e Shtetit është folur edhe për mundësitë e rritjes së punësimit në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë nevojë që të rinjtë ta lëshojnë vendin, si dhe për bashkëpunimin ekonomik në rajon.

Ndërsa në Washington DC, Shkëlqim Devolli ka takuar dhe ka realizuar edhe një takim me ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak.

Aty është folur për lidhjet e veçanta historike të shqiptarëve me popullin hebre, si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik me Izraelin.

Lajme të ngjashme