Shkelja e këmbësorit nga ministrja: Autoritetet mbyllin gojën, s’dihet as për gjendjen e 9-vjeçarit - NACIONALE

Shkelja e këmbësorit nga ministrja: Autoritetet mbyllin gojën, s’dihet as për gjendjen e 9-vjeçarit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot gjatë ditës, një grua u përfshi në një aksident trafiku, duke e shkelur një këmbësor në Lagjen Arbëria (ish Dragodan) në Prishtinë.

Aksidenti gjegjës ndodhi rreth orës 12:25, dhe një nëntë-vjeçar u lëndua e u dërgua në emergjencë.

Deri këtu gjithçka ishte e zakonshme. Një pushtetar shkelte një këmbësor.

Por, gjërat morën kahje tjetër kur portali Demokracia kishte mësuar se në karrigen e shoferit ishte e ulur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Arsyeja duket të ketë qenë mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës.

Kujtojmë që gjatë ditës së sotme ka pasur reshje shiu, kohë pas kohe, e të cilat e kanë rënduar edhe më shumë gjendjen nëpër asfaltet e rrugëve duke i bërë më të lagështa, e kësisoj edhe më të rrëshqitshme.

Nacionale gjatë gjithë ditës tentoi të bisedojë me autoritetet relevante, por nuk mori përgjigje.

Nga Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë i thanë gazetares sonë se “ishin në pushim” dhe se nuk dinin asgjë për aksidentin e shefes së tyre.

Por, përgjigje nuk dhanë as Policia e as Qendra Klinike Universitare (QKUK) – e të cilat japin edhe për aksidente krejtësisht të zakonshme.

Nuk dihet nëse kjo mungesë e përgjigjes ka të bëj ose jo me peshën politike të personit që kreu aksidentin në fjalë.

Për fat të keq, opinioni nuk ka mësuar tashmë as gjendjen e 9 vjeçarit të lënduar – e për të cilin u raportua se ishte dërguar për në emergjencë – duke qenë se të gjitha autoritetet e kanë kyçur gojën.

Ministrja Hajdari ka qenë një ndër ministret që ka marrë më së paku kritika në ministrinë që drejton pasi nuk ka qenë aq e ekspozuar në media.

Sidoqoftë, ajo kishte marrë kurajon të fliste edhe për çështjen e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik ndaj Serbisë, duke e konsideruar haptas si një zgjidhje të pafavorshme për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës e kishte premtuar Reciprocitetin qysh më 12 shkurt të vitit 2021, por i cili ende nuk ka nisur të implementohet.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme