‘Shkatërrimi’ për 20 vjet, autostradat e ura e Saradranit: Përplasje e ashpër pozitë-opozitë në Kuvend
Seanca për buxhetin është përcjellur me debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës.
Kryesisht kanë qenë të përfshirë deputetët e LDK-së dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ia ka numëruar të gjitha premtimet që pushteti nuk i ka mbajtur. Nga shëndetësia e deri te infrastruktura.
“Analiza e këtij dokumenti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve gjatë mandatit, jo vetëm si shifra. Në shëndetësi sigurimet shëndetësore, asnjëra prej këtyre projektve nuk është realizuar. Banim social i përnballueshëm, tek tash është miratuar. Tek privatizimi, dhe mbyllja e AKP-së. Fondi Sovran e Banka Zhvillimore asnjëra nuk janë në rrugë për t’u bërë. Caktimi i çmimit minimal për produkte bujqësore, këto kanë qenë premtimet. Në infrastrukturë: aeroporti i Gjakovës, rruga për Plavë, për Tetovë, hekurudha për Durës. Le ta analizojmë tani perfomancën buxhetore në konteskt të realizimit të këtyre premtimeve. Buxheti gjatë këtij mandati ka qenë 11 miliardë euro, ndikimi në shoqëri është 0”, tha Hoti në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.
Deputeti i LDK-së deklaroi se qeveria Kurti, është qeveria me më së paku investime kapitale.
“Pse ka ndodhur kështu? E para sepse është përkeqësuar struktura e buxhetit, ka ndërruar raporti mes subvencionit dhe investimeve kapitale. Me subvencione mbahen familjet në nevojë, por nuk zhvillohet ekonomia. 130 milionë euro subvencione janë dhënë për energjinë në veri. Edhe ato investime kapitale nuk janë realizuar. Unë po jap shifra nga buxheti. 21-24, kanë qenë të planifikuar 3 miliardë euro për investime kapitale, janë realizuar 1.2 miliardë. Janë 1.8 miliardë për investime kapitale qënuk kanë hyrë në ekonomi. Norma e realizimit në të gjitha qeveritë e kaluara ka qenë 60-65%, në këtë qeveri është 40%. Edhe këto investime kapitale nuk e di ku kanë shkuar, sepse kontrata njëburimore kanë shkuar në 240-250 milionë. Do të ketë auditim në të ardhmen”, ka thënë Hoti më tutje.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka drejtuar disa pyetje për kryeministrin Kurti dhe pushtetin.
Tahiri e ka quajtur buxhetin e vitit 2025, si më të dështuarin ndonjëherë, raporton Nacionale.
“Kurti në fjalën hyrëse u lavdërua se si ky është buxheti i tij i katërt, por në vlerësimin e qytetarëve ky është buxheti më i dështuar i mandatit të tij të parë. A u kënaqët a? Të fundit e keni, më vjen keq. Me u lavdu si kryeministër për mandatin 4-vjeçar të një buxheti e krejt Kosova me e ditë që është buxheti e qeveria më e dështume është paradoksi më i madh, dhe paradoks tash duhet me argumentu”, tha Tahiri.
Tahiri e sfidoi Kurtin për t’ia treguar një projekt që ka përfunduar, përveç urës në Saradran.
“A ka ndonjë projekt që u nis e u përfundu përveç urës në Saradran? Veç një projekt të thotë e kam nis një rrugë dhe e kam përfundu në këto 4 vjet. Magjistralja për Gjilan, për Gjakovë, për Pejë, për Mitrovicë, ende po punohet. Asnjë projekt nuk është përfundu”, tha Tahiri.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vazhduar të ankohet në Kuvendin e Kosovës.
Ai e ka vazhduar frazën e zakonshme se “diçka që është shkatërruar për 20 vjet...”.
Këtë e bëri duke iu përgjigjur deputetit Mërgim Lushtaku për importin dhe eksportin.
“A është synim i qeverisë të ulet importi? Patjetër që po. Kemi bërë mbështetje, masa përmes ministrive duke mbështetur në certifikim e pjesëmarrje në panaire. Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të trashëguar ku të gjitha fabrikat i keni shitur për skrap. Merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti. Deri atëherë, do të vazhdojmë të punojmë. Diçka që është shkatërruar për 20 vite, nuk mund të rregullohet brenda një mandati”, tha Murati.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar rëndë ministrin Hekuran Murati, lidhur me deklaratat se Kosova është shkatërruar për 20 vjet.
Hoti tha e pyeti “me sa fytyrë” bën deklarata të tilla.
“Me debatu me këtë person është problem, se ky debaton me fanatizëm. Këtij nuk i intereson e vërteta, edhe vazhdon me atë propagandën e poshtër, të ulët. Me sa fytyrë del në foltore, edhe i thu njeriut që është shkatërru Kosova që 20 vjet. Me 13 mijë njerëz të vrarë, e me njerëz pa gjymtyrë, e me shtëpi të shkatërruara. Ti thu është shkatërru Kosova gjatë 20 viteve. Kur i shton këto në Kuvend, nuk ka vend për debat”, tha Hoti.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Kjo pasi ky i fundit deklaroi se përveç autostradës, as qeveritë e tjera nuk kanë bërë investime kapitale.
“Qysh me përjashtu autostradën? Qysh munesh me thanë përjashtone autostradën, e ju mbeten investime kapitale 200 milionë. A e di ku ke ngel? Te Ura e Badocit 34 metra, kush është duke të penguar. Me gjasa ka pasur kontrabandë po thu, inflacionin e kësaj qeverie po e paraqet si luftë kundër kontrabandës a? Asnjëri nuk e përmendët ngritjen e çmimeve. A e di që ke ardhë në pushtet tu premtu që ke me i liru faturat e rrymës. Keni dështu, nuk mundesh sot me shit propagandë, për secilin argument qëndroj 24 orë në foltore me referenca, të demantoj”, tha Bajrami, raporton Nacionale.