Shkarkohet avokatja shtetërore I.A, Sallahu: Ajo ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi - NACIONALE

Shkarkohet avokatja shtetërore I.A, Sallahu: Ajo ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se sot është shkarkuar nga Shërbimi Civil avokatja shtetërore me inicialet I.A.

Ai ka bërë me dije se vendimin e ka marrë Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Drejtësisë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se avokatja shtetërore në fjalë e ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara.

“Sapo pranuam Vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë me të cilin shkarkohet nga Shërbimi Civil, Avokatja Shtetërore I.A. Avokatja Shtetërore në fjalë, ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara. Gjatë ushtrimit të funksionit të saj, Avokatja Shtetërore: Ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës; Ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët; Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore; Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit; Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim”, ka shkruar Sallahu.

Ai ka bërë me dije se këto veprime kanë cenuar interesin publik.

“Veprime të tilla minojnë dhe cënojnë interesin publik dhe janë të papranueshme. E përshëndes Vendimin e Komisionit dhe pres që raste të tilla të jenë mësim për ata që Institucionin publik të vendit tonë e shohin si mundësi për zhvatje e krijimin e përfitimeve të paligjshme vetjake a të palëve të tjera. Pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike për shkak të ish pushtetarëve. Nuk duhet e nuk do të jetë më”, ka shkruar Sallahu.

Lajme të ngjashme