Shefja e UNMIK-ut për ngjarjet në veri: Palët të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese - NACIONALE

Shefja e UNMIK-ut për ngjarjet në veri: Palët të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka reaguar në Twitter lidhur me ngjarjet e fundit në veri. Sekretarja e Përgjithshme dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese.

Më tej aty bëhet thirrje urgjente që palët t’i kthehen normalitetit duke u fokusuar në zgjidhjen në kuadër të Dialogut.

“PSSP Ziadeh po ndjek me shqetësimin më të madh situatën në zhvillim në veri të Kosovës. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme përshkallëzuese dhe të ndërmarrin hapa urgjent për të rivendosur qetësinë. Ajo thekson nevojën për të gjetur një zgjidhje brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE” – thuhet në reagimin e Kombeve të Bashkuara në Twitter.

Sfond: Të premten, në përpjekjeve për t’u futur në objektet komunale, kryetarët e komunave në Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan kanë hasur në rezistencë të qytetarëve serbë të cilët kanë bllokuar hyrjet. Kjo situatë ka sjellë përleshje mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në atë zonë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nga përleshjet në veri janë lënduar pesë policë. Përmes një komunikate për medie, është bërë po ashtu me dije se janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare.

Pas ngjarjeve në veri, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka takuar kryeministrin Kurti në zyrën e tij.

Ngjarjet e sotme kanë shkaktuar tensione në raport me Qeverinë e Kosovës dhe SHBA-të. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka dënuar ashpër aksionet e policisë për t`i vendosur kryetarët e rinj të komunave verior në zyrat e komunave.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë.

Edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i ka shpërndarë postimin ambasadorit Hovenier në profilin e tij në Twitter. Kurse, senatori amerikan Chris Murphy ka qenë edhe më i ashpër me Kosovën.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kur ishte në Kosovë, kryeministri Kurti nuk i kishte përmendur këtë plan.

“Në takimin e të hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për të hyrë në ndërtesat komunale.” – ka thënë ai.

Rreth 50 mijë serbë që jetojnë në katër komuna veriore të Kosovës, përfshirë Zveçanin, iu shmangën votimit të 23 prillit nën pretendimet se kërkesat e tyre për më shumë autonomi nuk ishin përmbushur. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 3.47% dhe serbët vendas kishin paralajmëruar se nuk do të punonin me kryetarët e rinj në katër komunat .

Lajme të ngjashme