ShBA ‘tërësisht e përkushtuar’ në KFOR, siguron Sekretari i NATO-s
ShBA është “tërësisht e përkushtuar në KFOR, në NATO”, ka thënë Sekretari Gjeneral i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Mark Rutte në një bisedim me gazetarë.
Kështu e citoi të ketë thënë Mark Rutte-n “Radio Evropa e Lirë”, mes tjerash edhe përkushtimin e Donald Trump për Misionin Paqembajtës të NATO-s në vend.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.
Duke folur edhe për marrëveshjen Kosovë – NATO që trupat e FSK-së të dislokohen në veri me miratim paraprak nga KFOR-i, Rutte e ritheksoi se qëndron.
“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in.
Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.