ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Rusia e Kina në një fjalë: Kosova të themelojë Asociacionin
Në Këshillin e Sigurimitë të Kombëve të Bashkuara sot është mbajtur mbledhja e radhës, ku është diskutuar rreth Kosovës. Aty folën të gjithë 15 anëtarët e KS të OKB-së, por fjalime mbajtën edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe homologu i saj serb, Ivica Daçiq. Sigurisht, varësisht nga prejardhja shtetërore e përfaqësuesve, u kahëzuan edhe interpretimet e tyre për zhvillimet në Kosovë e mes Kosovës e Serbisë.
Megjithatë, në këtë takim kishte edhe ca mendime të ngjashme mes shteteve që përfaqësohen në Këshillimin e Sigurimit. Të gjithë folësit e përshëndeten arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Por kishte edhe një emërues të përbashkët i pothuajse të gjitha fjalimeve në KS të OKB-së. Miqtë, por edhe kundërshtarët e Kosovës, kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Asociacioni…
ShBA-ja, Britania e Madhe, Rusia, Kina e Brazili e të ngjashme kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Fergus Eckersley, koordinator kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
Në fjalën e tij, z. Eckersley ka vlerësuar se Kosova e Serbia duhet të shmangin retorikën e ashpër ndaj njëra-tjetrës, në mënyrë që të punojnë së bashku rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet sa më shpejt.
“Mirëpresim progresin e bërë në dialogun e Brukselit. Është koha që dy palët të angazhohen në dialog dhe të shmangin retorikën. Kosova dhe Serbia e kanë zotuar për themelimin e Asociacionit dhe të dy palët duhet të angazhohen në mënyrë sa më shpejtë që ky Asociacion të themelohet sa më shpejt.” – theksoi Eckersley.
Edhe përfaqësuesi i ShBA-së kërkoi themelimin e Asociacionit, i cili, sipas tij, duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Shpresojmë që të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimi e liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në mënyrë e cila është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.” – ka thënë ai.
I ashpër me Kosovën ishte ambasadori i Rusisë në KS të OKB-së, Vassily Nebenzia. Në fjalën e tij, ai u pajtua me ShBA-në e Britaninë në pikën e Asociacionit, duke theksuar se ai duhet të themelohet.
“Prishtina nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe as për respektimin e obligemeve të veta dhe për këtë arsye, Albin Kurti insiston pa arsye që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të jetë multietnik dhe pa kompetenca ekzekutive. Shqiptarët e Kosovës po përpiqen të zëvendësojnë atë për të cilin ishte dakorduar për diçka si OJQ në parim dhe kjo trajektore duhet të refuzohet. Vetëm një asociacion i ri do të lejonte të drejta dhe siguri për serbët dhe kjo duhet të jetë një zhvillim ekonomik dhe identitet kulturor.” – tha Vassily Nebenzia, ambasadori i Rusisë në KS të OKB-së.
Edhe Kina e theksoi nevojën e themelimit të Asociacionit.
“Kina gjithmonë mbështet zgjidhje të pranueshme për të dyja palët që arrihen përmes diskutimeve në pajtim me Rezolutë 12/44. Në këtë aspekt kërkojmë që sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë të respektohet. Shpresojmë që marrëveshjet ekzistuese të zbatohen. Themelimi i Asociaiconit të Komunave Serbe është pjesë përbërse e marrëveshjes, është pjesë integrale, dhe duhet të jetë fokus të takimit të rradhës në takimin e palëve. Shpresojmë që BE’ja të mbetet neutrale në këtë proces dhe të shmang çfarëdo presioni. Kina është e shqetësuar për situatën në veri të territorit të Kosovës dhe mendon se qëndrimi i autoriteteve atje për të mbajtur me doemos zgjedhjet përkundër mospranimin nga ana e serbëve nuk ka qenë veprim i duhur.” – vlerësoi përfaqësuesi kinez në KS të OKB-së.
Sigurisht, edhe Brazili e pëshëndeti arritjen e marrëveshjes së Brukselit, duke thënë se një gjë e tillë nënkupton që palët janë të gatshëm për kompromis. Përfaqësuesi i Brazilit përmendi edhe zgjedhjet në veri të Kosovës, duke theksuar mospjesëmarrjen e serbëve në procesin zgjedhor. Njëjtë sikurse Kina, edhe Brazili kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Brazili bënë thirrje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në pajtim me marrëveshjet e Brukselit. Ne inkurajojmë palët që t’iu mbahen zotimeve për të respektuar të gjitha vendet e rëndësishme kulturore dhe historike dhe lirinë e lëvizjes. Zoti president, Brazili mbështet vazhdimësinë e UNMIK-ut dhe kuptojmë që do të ishte e parakohëshme të konsiderohet tërheqja e tij.” – vlerësoi përfaqësuesi i Brazilit në KS të OKB-së, i cili e kundërshtoi edhe dërgimin e trupave të FSK në ishujt Falklandë.
Ndryshe, në këtë takim kishte edhe përplasje mes Gërvallës dhe Daçiqit.



