ShBA i reagon ashpër Kosovës për ndalimin e dinarit, përmendin edhe Planin e Ahtisaarit dhe Asociacionin - NACIONALE

ShBA i reagon ashpër Kosovës për ndalimin e dinarit, përmendin edhe Planin e Ahtisaarit dhe Asociacionin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Shtetit ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në vendin tonë nga një shkurti.

Sipas mediumit “The Pavlovic today”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim dhe të konsultohet fillimisht me “komunitetet e prekura”.

Veç kësaj, DASH-i raportohet se i ka kërkuar Qeverisë Kurti që “t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga komuniteti ndërkombëtar".

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t'i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë.” – citohet të jetë thënë në përgjigjen e një zëdhënësi të DASh-it.

Veç kësaj, në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, ai citohet të ketë thënë tutje:

“Jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”.

Tutje thuhet se DASh ka nënvizuar që në përputhje me angazhimet sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.

Dispozitat aty përcaktojnë se “komunitetet me shumicë serbe do të kenë autonomi të gjerë financiare dhe do të jenë në gjendje të pranojnë financime transparente nga Serbia dhe të marrin pjesë në partneritete ndërkomunale dhe bashkëpunim ndërkufitar me institucionet serbe. ”

Për këtë arsye, sipas DASh-it i kërkohet Kosovës në vazhdimësi të përmbush përkushtimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Për këtë arsye ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.” - tha ky zëdhënës.

“Asociacioni është mekanizmi primat përmes të cilit Serbia në mënyrë transparente mund të ofrojë mbështetje financiare për institucionet dhe individët sipas kornizës ligjore të Kosovës.” – citohet tutje kjo përgjigje.

Vlen të theksohet se në lidhje me këto zhvillime, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Pas një takimi me Guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, ambasadori evropian Tomas Szunyog, tha se ka pyetur se si do të mund të ndikojë kjo në jetën e zonave me shumicë serbe, dhe po ashtu, ka thënë se ka shumë pak kohë për përshtatje para se të hyjë rregullorja në fuqi.

“Pyeta si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shprehet shqetësimi për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se rregullorja e re e BQK-së nuk ka të bëjë gjë me ndalim/lejim të dinarit serb; sepse “nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё”.

Lajme të ngjashme