Serwer pas takimit në Bruksel: Kurti dhe Vuçiq mund të luajnë më mirë
Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përpiqen që mosmarrëveshjet e tyre t’i zgjidhin nëpërmjet Procesit të Berlinit.
Serwer në bllogun e tij peacefare.net ka shkruar se mekanizmat tjerë nuk po prodhojnë rezultatet e pritura.
Ndër të tjera ai ka shkruar se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë dështuar edhe një herë që ta arrijnë një marrëveshje nëpërmjet Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Asnjë marrëveshje ‘finale’ nuk shihet në horizon. Kjo është ajo që dialogu bilateral supozohej se do të prodhonte. Kështu që, koha është që dialogu Serbi/Kosovë të vendoset aty ku mund të jetë produktiv. Procesi i Berlinit është vendi i duhur. Në një kontekst multilateral ku Berlini luan një rol të rëndësishëm, që të dy, Kurti dhe Vuçiq mund të luajnë më mirë.” - ka shkruar Serwer.
Profesori amerikan ka thënë se Serbia po zhvendoset ndërkombëtarisht nga lindja dhe po bëhet më pak demokratike nga brenda.
“Ka zero gjasa për një kërkimfalje për represionin e viteve të ’90-a.” - ka shkruar ai.
