Serbia po e humb Rusinë e po e fiton Amerikën, po ne? - NACIONALE

Serbia po e humb Rusinë e po e fiton Amerikën, po ne?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: BERAT BUZHALA

Gabimisht jemi duke investuar në fushatën tonë kundër Serbisë, duke e paraqitur atë si pro-ruse. Ajo është e tillë, mirëpo Perëndimi po i sheh vetëm votat e Serbisë në OKB, që janë kundër Putinit. Në anën tjetër Kosova është pro-Perëndimore, mirëpo Qeveria e ka bërë shprehi t’i thotë JO Kuintit.

Prej kur ka filluar lufta në Ukrainë, Serbia dhe Aleksandër Vuçiq gjenden në mes të kullës dhe çekiçit. Në mëngjes voton në OKB për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB, kurse në mbrëmjë Vuçiq flet në telefon me Putnin.

“Ne jemi vend neutral, Rusinë e kemi aleatin kryesor, kurse integrimin në Bashkimin Evropian synimin kryesor”, thotë Vuçiq në mbrëmjë për mediat serbe, duke u munduar t’i qetësojë gjakrat kleronacionaliste që dëshirojnë rreshtim të pakusht në anën e Rusisë. “Po të mos votonim kundër Rusisë në OKB, Serbia do të goditej me armë nukleare”, thotë ai. Me armë nukleare nënkupton sanksionet e forta ekonomike. Kjo është hera e dytë që Serbia ia del t’ia hedhë disi. Perëndimi është i kënaqur që Serbia mëgjithatë po voton kundër Rusisë, prandaj nuk dëshiron ta shtyjë më shumë sesa kaq, kurse Rusia, duke mos e pasur Serbinë në gjatësinë e duarve të saj, e ka të pamundur të kërkojë diçka më shumë, sepse do të rrezikonte ta humbiste Serbinë, siç i ka humbur edhe shumë shoqëri të tjera sllavo-ortodokse. Bjellorusia nuk e kishte këtë fat.

Në anën tjetër shqiptarët bëhen nervoz me shkathtësinë e Vuçiqit. Kryeministri dhe Presidentja po mundohen ta bindin Perëndimin e bindur që shoqëria serbe është pro-ruse. Këtë e dinë të gjithë. E di edhe Shtëpia e Bardhë, edhe Shtëpia numër 10 në rrugën Downing, e edhe Berlini e Franca. Mirëpo, ata nisën prej një thënie të gjeneralit kinez Sun Tzu, i cili kishte thënë “kur ta rrethosh armikun, lija një deriçkë çelë, mos e poshtro deri në fund”.

NATO, SHBA, BE, e kanë të sigurt që duke e mposhtur Rusinë, Serbia vetvetiu është e mposhtur. Serbia do ta ketë një mushkëri më pak, përmes së cilës do të mund të merrte frymë, prandaj ato janë të kënaqura me votat serbe në OKB, e nuk janë të shqetësuara me bisedat telefonike të Vuçiqit me Putinin, ose me raportimet e mediave serbe për luftën në Ukrainë. Ambasadorët e huaj në Beograd, qendrat me të rëndësishme botërore, e dojnë Serbinë në gjirin e tyre, qoftë edhe deri dikund rebele, më shumë se sa të poshtëruar e në anën Rusisë.

Këtë nuk po duan ta kuptojnë Kurti e Osmani, që në vend se të angazhohen me ambasadorët e huaj, me qeveritë aleate, po mundohen që përmes intervistave në media të huaja, ta bindin publikun atje për rolin e Serbisë. Vetvetiu kjo nuk është gjë negative, zarar prej intervistave nuk ka, por problemi është se kjo nuk e ka asnjë vlerë praktike. Amerika dhe amerikanët që po e mbështesin qeverinë e tyre kundër përballjes me Rusinë nuk e kanë Serbinë në radar. Në vend që të krijojnë armiq të rinj, Perëndimi është i interesuar për ta zgjeruar koalicionin e tyre. Në vend të një Serbie që nuk i vë sanksione Rusisë, por as nuk voton kundër saj në OKB, Perëndimi e dëshiron një Serbi që së paku voton kundër Rusisë. Kjo nuk na mjafton ne, sigurisht, po kush jemi ne?

Në anën tjetër, elita politike në Kosovë po provon që ta shesë përtej çmimit real rreshtimin tonë të fuqishëm kundër Rusisë. Pse, cili do të ishte plani B? Ky rreshtim anti-rus i Kosovës kushton shumë lirë, që të mos themi askush nuk e llogarit. Është vetëm simbolik. Ne, përveç tjerash, nuk kemi as votë në OKB, e as në asnjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar. Do të ishte mazohizëm, duke e ditur historinë, që kështu vullnetarisht të qëndronim neutral ndaj luftës në Ukrainë, ose të rreshtohim pro Rusisë.

Për këto arsye, ne krejt çfarë mund të bëjmë është që të marrim shënime për lojën perfide të Serbisë dhe liderit të këtij shteti. Po arrin disi t’i mbajë dy bostana në një pëllëmbë të dorës, kurse ne asnjë.

Ka disa muaj që klasa politike në vendin tonë është futur gabimisht në një rrugë njëkahëshe, sa i përket raporteve me bashkësinë ndërkombëtare. JO-të e qeverisë së Kosovës ndaj shteteve të Kuintit janë shpeshtuar dhe një gjë e tillë nuk u ka pëlqyer aspak aleatëve. Fitorja simbolike kur u ndalua referendumi i Serbisë në Kosovë, u ekzagjerua tejmase kur qeveria i tha JO edhe një kërkese të Kuintit për zgjedhjet e Serbisë. Perëndimi po pret prej Kosovës konstruktivitet në raport me Serbinë, kurse sa i përket raporteve të Serbisë me Rusinë ata nuk po presin leksione nga Kosova. Tek e fundit në luftë me Rusinë është Perëndimi, e jo Kosova. Nuk mundemi ne, aktualisht, t’i tregojmë as Amerikës e Berlinit, e as Londrës e Parisit, se kush duhet ndëshkuar e kush jo, sepse janë ata që po e paguajnë çmimin e kësaj lufte. Prandaj, përpara se të provojmë të bëhemi të rëndësishëm përmes kësaj lufte, sepse nuk jemi, sepse nuk kemi rol, ne duhet të kujdesemi që t’i trajtojmë mirë kërkesat amerikane dhe evropiane në Kosovë. Këtë po e presin ata prej nesh.

Ka kohë që askush nga Qeveria e Presidenca nuk i ka thënë “allo” asnjë zyrtari të rëndësishëm të Amerikës. Kjo është shumë brengosëse.

Lajme të ngjashme