Serbia mohon të ketë “Brigadë të Veriut”, e propagandojnë si “plan të rrezikshëm” të Kurtit
Një veturë me targa të Beogradit (BG) e stërmbushur me armë vdekjeprurëre u kap nga Policia e Kosovës në Zveçan më 23 qershor dhe autoritetet vendore e vlerësuan për “parandalim të një sulmi terrorist” ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje u pasua me shpalljen si organizata terroriste “Brigada Veriu” dhe “Mbrojtja Civile”. “Për të bërë luftën ndaj tyre më efikase”, pati thënë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke folur nga një konferencë për media në Kampin Belvedere të nesërmen pas kapjes së armëve, këto dy organizata do të shpallen terroriste.
Këto armë të kapura, pretendonte ministri i brendshëm, janë veçse një kontigjent dhe se ka edhe armë tjera të cilat janë futur në Kosovë nga këto grupe; por edhe se do të ishte çështje kohe kapja e pjesës tjetër. “Nuk do të kenë sukses”, tha ai, duke folur për “këto përpjeke...që janë në terroriste”.
Lista Serbe dhe Serbia e ka mohuar ekzistencën e një “Brigade të Veriut” dhe ekzistencën e tyre e kanë reduktuar në “disa grafite...shkruar rrugëve...nga (ndo)një individ”. Gjithashtu edhe kapjen e armëve ata kanë pretenduar se ka qenë “montim” për, siç e thonë ata, “justfikimin” e vazhdimit të prezencës së njësive speciale policore të Kosovës në veri të Kosovës.
Lista Serbe përmes një komunikate u shpreh se “Severna Brigada” është një organizatë që “ekziston veçse në mendje të Kurtit” dhe se vendimin për shpalljen e saj si terrosite e komentoi si “po të mos ishte e rrezikshme do të ishte qesharake”.
“Gjueti shtrigash”, e quajti Lista Serbe mes tjerash këtë vendim.
“Deklarimi i organizatave inekzistente si Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriu si terroriste janë pjesë e planit të regjimit të Kurtit për të krijuar një armik virtual për të vazhduar terrorin politik me forcat speciale në veri të Kosovës përmes arrestimeve të pabaza të serbëve të pafajshëm, ngacmimin dhe frikësimin e qytetarëve”, ka shkruar Lista Serbe në reagimin pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, duke folur për këto dy organizata të dezignuara si terroriste tha se “nuk ekzistojnë” dhe se janë shpallur si të tilla që në “arrestimet” eventuale të dyshuarit të ngarkohen “me krime fiktive”.
“Kurti krijon alibi për deklaruar si terrorist secilin serb të radhës që ka ndërmend ta arrestojë, dhe le të kujtojmë se ka një listë me 350 njerëz. Duke deklaruar organizata inekzistente si terroriste...serbët (e arrestuar) do të ngarkohet me akuza të trilluara për terrorizëm dhe të mbahen në burg”, ka pretenduar ai në një intervistë me Kurir.
Madje Daçiq thotë se edhe Shtetet e Bashkuara, në reagimin e tyre se një vendim i tillë s’ka qenë i konsultuar me ta, tha se “kanë parë përmes këtij plani të rrezikshëm”.
Edhe Kryetari të ashtuquajturit Komisioni Parlamentar për Kosovën, Milovan Drequn, në një intervistë në RTSthotë se “Kurti shpalli disa grafite si terroriste” duke mohuar se një organizatë e tillë si “Severna Brigada” ekziston.
“Brigada Veriu ekziston vetëm në disa grafite të shkruara nga një individ, pra Kurti deklaroi grafitet si organizim terrorist”, ka thënë ai.
Madje, Drequn pretendon edhe se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “kohëve të fundit ka bërë një listë arrestimesh prej 350 serbëve të cilën provoi t’ia jep [Miroslav] Lajçakut, ai refuzoi ta merr”.
Qeveria e Kosovës, megjithatë, doli se nuk është koordinuar, siç tha Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, me faktorin ndërkombëtar të sigurisë atje; i cili deklaroi se “për këtë hap, ne jemi në koordinuar” me aleatët perëndimorë.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.” - deklaroi ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.
Megjithatë një koordinim i tillë u demantua nga mbarë shtetet e QUINT-it dhe KFOR-i. Ndërkaq vetëm EULEX-i nuk është deklaruar ende.