Kërcënimi i Serbisë për kthim të forcave në Kosovë: Çka dimë deri tash?
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka reaguar pas shtimit të forcave të Policisë së Kosovës në veriun e vendit duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.
Petkoviq ka deklaruar se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë, dhe sipas tij ky veprim se do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Petkoviq tha se 300 deri në 350 Policë të Kosovës - përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU - "kanë okupuar dhe bllokuar" Mitrovicën e Veriut, ka raportuar Kosovo-Online.
"Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 350 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës", ka thënë ai.
Tutje ai vazhdoi me pretendimet e pabazuara duke thënë se policët e Kosovës po ndalojnë njerëzit dhe po i ngacmojnë.
“Le të kujdesen ata në Perëndim, të mos befasohen me vendimet tona, sepse ne nuk jemi që po provokojmë e po shkelim marrëveshjet.”
I menjëhershëm ishte reagimi i shefit të kabinetit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela.
Ky i fundit, përmes rrjetit social "Twitter" tha se ky është kërcënim i hapur për t'i shfrytëzuar forcat policore që të kryejnë agresion në Kosovë.
“Regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të tij ilegale në Kosovë. Në kërcënimin e hapur për të përdorur forcat policore për të kryer agresion kundër Kosovës. Sipas librit të lojërave të Rusisë, ky është një kërcënim flagrant për të rrezikuar paqen dhe stabilitetin në Kosovës dhe rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Vela.
🚨#Serbia’s regime is moving from covert violent actions of its illegal structures in #Kosovo to overt threat to use pol-mil forces to conduct aggression against Kosovo.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) December 8, 2022
As per #Russia’s playbook, this is a blatant threat to endanger peace & stability in 🇽🇰 and the wider region. pic.twitter.com/UGbsh0hm6v
Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sonte në orët e vona ka regjistruar një paraqitje televizive, ku ka folur rreth numrit në rritje të policëve në Mitrovicë të Veriut.
Siç ka thënë ai ndër të tjerash, ky numër është rritur në disa lokacione të Mitrovicës së Veriut, ndërsa synim të vetëm ka rritjen e sigurisë për të gjithë banorët e asaj ane pa dallim.
"Është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë, është rritur numri i policisë në disa lokacione, e kjo ka ndodhur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar, të dyshuar, pra kanë prishur rendin dhe qetësinë. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t'u garantohet qytetarëve siguri në vendbanimet e tyre, është marrë vendim që të rritet numri i policëve në atë pjesë.
Për shkak të ndodhive të netëve të fundit siç edhe e ceka më herët. Policia bën vlerësimet e sigurisë, në bazë të këtyre vlerësimeve e ka parë të arsyeshme. Krejt kjo është të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Pa qëllim të tjera. Veç siguri për banorët. Sipas informatave nga menaxhmenti, ka të bëjë me disa lokacione në Mitrovicën e Veriut. Ajo që dua të them është se situata është relativisht e qetë.", tha fillimisht Sveçla.
Drejtësi
Veç kësaj, ai pohoi se Policia e Kosovës është në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë e tjera shtetërore, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale, teksa shtoi se po punojnë maksimalisht që ata që shkaktuan probleme në veri të dalin para gjyqit.
"Policia e Kosovës në bashkëpunim me agjencitë tjera dhe Prokurorinë Speciale është duke vazhduar hetimet ndaj këtyre shqetësimeve të këtyre banorëve të kësaj pjese të Kosovës. Jam optimist se do të dalin me konkluza dhe do të propozojnë masat e duhura në drejtim të vënies para drejtësisë të atyre që me akte terroriste të dalin para organeve".
Në anën tjetër, ai hodhi kritika ndaj Beogradit për mbështetjen si financiare, ashtu edhe koordinuese për këta të dyshuar.
"E dimë që këto raste nuk janë spontane. Janë të organizuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequra nga Beogradi, si në financa ashtu edhe në koordinim. Por, unë jam i bindur në kapacitetet e Policisë së Kosovës. Situata relativisht e qetë, qytetarët mos të brengosën. Ne jemi shtet i së drejtës dhe përmes instrumenteve demokratike-kushtetuese do të punojmë".
