Serbët e Kosovës pengohen të aplikojnë për të marrë ndihmë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim
Ministri për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq ka thënë se serbët në Kosovë po pengohen të aplikojnë për të marrë ndihmë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës.
Ai thotë se politikanët lokalë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, po bëjnë përpjekje që t’i pengojnë bashkëqytetarët e tyre, në mënyrë që ata të mos përfitojnë nga ndihma që u ofron Qeveria e Kosovës.
Lista Serbe ishte në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Por, pasi Goran Rakiq (kryetar i Listës Serbe) dha dorëheqjen, si pjesë e braktisjes kolektive të institucioneve të Kosovës në veri të vendit nga serbët, kryeministri Albin Kurti ia dha atë pozicion Nenad Rashiqit nga Partia Demokratike Progresive në opozitë.
Lista Serbe kishte reaguar ashpër me pretendimet se një vendim i tillë ishte “i paligjshëm”, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Nenad Rashiqin “llumi më i keq serb”.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa persona, të cilët dorëzuan kërkesat e tyre për ndihmë dhe më pas i tërhoqën ato, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin publikisht.
Edhe disa pjesëtarë të komunitetit serb nga disa komuna të ndryshme, pohuan se as që kanë guxuar të aplikojnë për ndihmë nga frika se mos i pësojnë pasojat.
Në fillim të shkurtit, Ministria për Komunitete dhe Kthim shpalli konkurs për ndihmë në disa kategori - ndërtim ose rinovim shtëpish, ndarje të materialeve për ndërtim, mobilieve, teknikës së bardhë, pakove ushqimore dhe higjienike. Vlera e përgjithshme e kësaj ndihme është dy milionë euro.
Sipas ministrit Rashiq, deri më tani kanë pranuar 3.400 aplikime dhe konkursi është i hapur deri më 24 shkurt.
Banorët lokalë kanë hasur në vështirësi për t’u pajisur me këto dokumente, kurse ky medium ka identifikuar raste të tilla në komunën e Shtërpcës, por që ata nuk kanë pranuar të prononcohen me emra.
“Ne, në konsultim me Prokurorinë, kemi iniciuar shkresën zyrtare”, tha Dragan Stevanoviq, komandant i stacionit policor në Shtërpc.
Kurse këshilltari i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Danijel Vasileviq, thotë se banorët e Shtërpcës i janë drejtuar për ndihmë dhe se janë të frikësuar.
“Jemi të sigurt se kryetari i komunës, përmes njerëzve të tij, ndikon drejtpërdrejt në disa zyrtarë komunalë që t’ua vështirësojnë aplikimin qytetarëve”, thotë Vasileviq.
Kjo nuk është hera e parë që serbët në Kosovë frikësohen apo u bëhet shantazh, në situata të ndryshme.
Disa punëtorë në gjyqësor apo në administratën lokale më herët kanë konfirmuar për REL-in se janë detyruar të japin dorëheqje, pasi më 5 nëntor të vitit të kaluar u vendos që përfaqësuesit e komunitetit serb t’i braktisin kolektivisht institucionet e Kosovës.
