Sektori privat i diskriminuar nga shteti, “Edhe ne jemi në krizë” - NACIONALE

Sektori privat i diskriminuar nga shteti, “Edhe ne jemi në krizë”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë javës që po e lemë pas zyrtarët qeveritar vendosën që pjesëtarëve të sektorit publik t’ia ndajnë nga 50 euro. E gjithë kjo për përballje me inflacionin.

Edhe këtë herë nga Qeveria u harrua sektori privat.

Këtë veprim po e konsiderojnë të padrejtë zyrtarët e sektorit privat në Kosovë.

Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK), Jusuf Azemi, thotë për KosovaPress se qeveria është dashur t'i ketë parasysh edhe punëtorët e sektorit privat.

Sipas tij, qeveria nuk po i përmirëson gabimet që i ka bërë edhe në të kalurën kur ka ndihmuar vetëm punëtorët e sektorit publik.

“Në rend të parë është dashtë që të stimulohen punëtoret e sektorit privat të vendit, për arsyeje se pagat në sektorin privat janë shumë më të vogla, numri i punëtoreve që paguhen për arkën e shtetit është rreth katërfish më i madh sesa i punëtoreve të sektorit publik, dhe kur dihet që punëtoret e sektorit privat punojnë punë shumë më të rënda, dhe punëtoret e sektorit publik janë më të priveligjuar mendojmë se është bërë një vendim jashtëzakonisht i paqëndrueshëm…Po ashtu në rastin e parë kur u ndan kemi menduar pas presioneve, pas njoftimeve që ne jemi shumë më keq se ata, kemi menduar që së paku do të del një moment dhe kryeministri do të thotë kërkojmë falje”, thotë Azemi.

Sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Shyqiri Bytyqi, deklaron se vendimi i qeverisë për shtesa vetëm për punëtorët e sektorit publik është i padrejtë.

“Një vendim i qeverisë në situatën që jemi aktualisht do të ishte shumë pozitiv, për shkak të krizave të vazhdueshme që po vazhdojnë të jenë, po i godasin të gjithë sektorët, si publik dhe privat. Mirëpo, vendimi aktual që po vazhdon me të njëjtën metodë që të stimulohet vetëm pjesa e sektorit publik, nuk është e drejtë. Duhet domosdoshmërisht të rishqyrtohen këto vendime nga ana e qeverisë në mënyrë që të gjithë sektorët të stimulohen”, thotë Bytyqi.

Lajme të ngjashme