Seanca e natës: Në orët e vona VV-ja “kontrabandon” disa ligje, opozita shokohet
Si asnjëherë në këtë legjislaturë, mazhoranca ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare në mbrëmjen e të enjtes. Pa ndonjë urgjencë, pak para mesnatës, partia në pushtet ka thirrur një seancë në të cilën i ka miratuar disa ligje.
Opozita, e cila nuk ka marrë pjesë në këtë seancë, e ka kritikuar partinë në pushtet për një veprim të tillë, duke thënë se nuk ka pasur asnjë arsye mbajtja e kësaj seance.
Deputetët e opozitës kanë deklaruar se mbajtja e kësaj seance ka qenë në kundërshtim me rregullave parlamentare.
Në fillim të seancën, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka tentuar të arsyetohet se pse është thirrur një seancë e tillë.
“Me siguri këto procedura ju kanë imponu mazhorancës, se javën e ardhshme siç duket nuk i kemi kushtet për të mbajtur seancë. Pastaj shkojmë drejt festave të fundvitit dhe krejt këto ligje që janë vetëm në shqyrtim të parë, pra që mbesin kthehen në zëro procedurat. Kjo ka qenë ndoshta një urgjencë e mazhorancës me u koncentru në këto ligjet, që janë në shqyrtim të parë. Pastaj me shmangie me kalu në shqyrtim të dytë. Qysh po ma merr mendja, logjika ka qenë kjo”, ka thënë Konjufca.
Më të filluar kjo seancë, në sallë janë paraqitur edhe deputetët e AAK-së, Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka kritikuar partinë në pushtet për këtë seancë.
“A ia ka mësy dikush Kosovës? Çka po bëni? Kjo nuk ka asnjë arsyeshmëri. A jeni duke e ditë se çka po bëni? Sinqerisht po ju pyes. A jeni duke e ditë se çka po bëni? Qysh seancë të jashtëzakonshme në pikë të natës pa kurrfarë arsye. Nuk ka as Rusia, as Kina, sigurt luftë nuk ka. Prapë mund t’i bëni 62 deputetë. Prapë mblidheni. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Arsyeja pse po kemi ardhur është të ju themi se kjo s’ka kurrfarë arsye. Është kontrabandim i ligjeve”, ka thënë Tahiri nga foltorja e Kuvendit.
Ndaj kritikave të Tahirit, me shaka ka reaguar Konjufca.
“E prej atje ke ardhur me na kallëxu diçka që e lexuam në Facebook në status që ke shkru?” ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Më pas, deputetët e VV-së kanë votuar në mënyrë të përshpejtuar pesë ligje.
Në fund të seancës, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka falënderuar deputetët e VV-së që gjatë ditës se djeshme kanë qëndruar në sallë për 14 orë.
Ajo ka treguar se në tri seancat parlamentare që janë mbajtur dje, Kuvendi ka votuar 17 ligje.
Me falënderimin e saj është tallur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Në profilin e saj në “Facebook”, Musliu ka shkruar se deputetët në këtë seancë janë mbajtur dhunshëm.
“Ta merr mendja në istikame i ke pasë. Qëndruam stoikisht! Po trego oj bijë që dhunshem i ke mbajtë sonte se ma s’mundesh mi mbledhë. Po shpresoj që shumica e kanë pa përherë të fundit sallën. Po mani seanca natëëëëëën”, ka shkruar Musliu.