Seanca e Kuvendit: Dominon diskutimi për hulumtimin e Nacionales rreth ‘luftës’ së pushtetit me hetues
Në Kuvendin e Kosovës sot gjatë tërë ditës është diskutuar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Seanca është mbyllur me prezantimin e rezolutës nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk u hodh në votim në mungesë të kuorumit.
Megjithatë, krahas raportit të DASh-it, po aq është diskutuar për një hulumtim të cilin gazeta Nacionale e ka publikuar një ditë më parë.
Hulumtimi tregonte ‘luftën’ e pushtetit me hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore. Sipas burimeve të Nacionales, katër hetues deri më tash kanë dhënë dorëheqje si pasojë e presioneve, kurse pesë hetues që po trajtojnë aferat e qeverisë Kurti janë në listë të largimit nga njësia.
Kjo ka shkaktuar shumë debat në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, bëri të ditur se do të ftohet në raportim ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
“Është raportu prej Nacionales që policët hetues që kanë hetu ministrat e korruptum janë zhvendos prej hetimit dhe në hetim tash kanë ardhë disa shokë të ministrit të Punëve të Brendshme, dmth për me i mbrojtë ministrat e korruptum.” – ka thënë ai fillimisht.
Tutje, Berisha është shprehur:
“Ne si komision parlamentar do të ftojmë inspektoratin policor, ministrin dhe drejtorin e policisë dhe do të merremi me këtë çështje.” – ka thënë ai.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, gjithashtu ka komentuar në Kuvendin e Kosovës, hulumtimin ekskluziv të Nacionales për largimin e hetuesve që po trajtojnë rastet e korrupsionit.
Ajo ka thënë se largimi i këtyre hetuesve tregon se qeveria është në panik për aferat korruptive.
“Pse po largohen hetuesit që janë duke hetuar këto raste të korrupsionit. Keni vendosur si polic hetimorë familjarët e ministrit. A keni thanë se familjarët janë për dasma e ahengje. E si munet krejt një departament të jetë në përbërje me kushëri të ministrit të Brendshëm. Ky është fakti se jeni në panik, dhe po tentoni me i fsheh të gjitha këto raste të abuzimeve. Kjo është e saktë. Dhe kjo po shihet se e keni bërë rastet e korrupsionit të lidhjeve të shkurtëra, ministra zv/ministra”, tha deputetja e AAK-së.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, përmendi edhe hulumtimin e Nacionales për punësimet në Ibër-Lepenc.
Beqa theksoi se dhe publikimet për mesazhet që dëshmojnë mënyrën e votimit.
“Mediat po iu shohin çfarë interferimi keni ata deputetët në fund me punësime. Çfarë interferimi me vota. Paramendo çka bëni këtu”, tha Beqa.
“E shkarkuat, ju jeni ata që folni në emër të interferimit në drejtësi. Kemi raste ku keni shkarkuar njerëzit që po hetojnë ministrat e juaj, kemi pesë zyrtarë policorë që ua keni ndërru, iu keni shpallur luftë, ja keni ndërru vendin e punës. 4 të tjera kanë dhënë dorëheqje”, tha Beqa.
Pyetje rreth hulumtimit të Nacionales shtroi edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Tash me apo pa raportin e DASh-it kjo Qeveri është e korruptuar. Aq më pak nuk ëm duhet mbështetja e LVV-së që sa herë flas unë bëjnë zhurmë. S’prita as që të guxojë ndonjë feputet i VV-së të flasë diçka ndryshe, sepse ne e dijmë çka ndodhë me ata që kanë mendim ndryshime.” – ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka pyetur VV-në pse shkarkoi Shemsi Hazirin që po i hetonte Martin Berishajn e Nagip Krasniqin.
“Pse e shkarkuat Shemsi Hazirin bash në kohën kur ishte duke hetuar Martin Berishën dhe Nagip Krasniqin Pse bëtë presion ndaj policëve të tjerë hetues? Nuk di që dëgjova ndonjë akterë të VV-së të tregojë pse u largua Shemzi Haziri Personi brenda sistemit të drejtësisë, ai person që po hetonte, ju e hoqët nuk e hoqën ish-qeveritë, as emërtimet e përveçshme, i hoqët u, policët hetues, pesë, katër prej tyre, veç dhanë dorëheqje nga presioni.” – deklaroi ajo.
Në fund, Kica-Xhelili ka thënë:
“Për juve nuk është problem me vjedhë, është problem me të nxanë”.
Për rastin e hetuesve ka folur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Sipas Deliut, këto hapa të Qeverisë Kurti janë shqetësuese.
"Raporti i DASH përmend sbkarkimin e Shemsi Hazirit, kryeshefit të task Forcës anti korrupsion. kemi parë raportimet e fundit se ka përpjekje të qeverise që hetuesit që po hetojnë afërat korruptive po shkarkohen, po degradohen. Kjo është shqetësuese" – tha ajo.
Kurse, deputeti Rashit Qalaj ka përmendur me emra këta hetues që janë emëruar në pozita udhëheqëse, që vijnë nga zona e Llapit.
Raportimi i Nacionales
Nacionale ka publikuar me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.
Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave/dokumenteve që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.
Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.
Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.