“S’e kam ditë që tuten kaq shumë”: Vëmendje e madhe ndaj heshtjes së pushtetit për Urën e Ibrit
“Kur po e çelim urën, o djem?”
Me këtë pyetje provoi të pengojë heshtjen e pushtetit ndaj temës më të zëshme të trumbetuar nga vetë ata, gazetari dhe opinionisti Imer Mushkolaj.
Që nga zbarkimi/largimi i drejtori të CIA-s, William Burns, temës së hapjes së proklamuar për fakt të kryer të Urës së Ibrit volumi iu ndal në “silent mode”.
Kjo heshtje e këtyre dy-tri-katër ditëve të fundit e temës më të kumbueshme publikisht nga pushteti, ka mbetur në rezonancën e saj aktive në veshët e opinonistëve publikë.
Ka prej tyre, si ish-Kryeinspektori i Agjenconit Kosovar për Inteligjencë që e lexon veçse si rezultat të vizitës së William Burns; madje duke e pagëzuar me emërtimin si “serumi i së premtes”.
Ramadani i pati thënë Nacionales, me sigurinë epistemike më të madhe, se një transformim i thellë ka ndodhur:
“Kosova nga e premtja nuk është më e njëjta - populizmi vdiq! Burns vrau populizmin”.
Ramadani, edhe sot duke vështruar këtë të-mos-bërje-zë të pushtetit për Urën e Ibrit, e quajti edhe “pauzë të urrejtjes dhe arrogancës së pushtetit”.
“Dëmi u bë. ‘Serumi’ i të premtes e ndaloi momentalisht gjuhën helmuese, por rikuperimi merr kohë”, shkroi Ramadani.
Ky vakum-sonik qeveritar s’i iku veshësh as profesorit të gazetarisë, Milazim Krasniqi, i cili madje e pa edhe si heshtje “shumë argëtuese”.
“Nuk e kam ditë që tuten kaq shume”, tha Krasniqi.
“Vërtetë shumë argëtuese po duket kjo heshtja totale e qeveritarëve për urën e Ibrit. Nuk po guxojnë as me e përmend fjalën urë. Nuk po guxojnë as me e recitue poezinë ‘Ura Mirabo’ te Apolinerit. Nuk e kam ditë qe tuten kaq shume. Khu bre!”, shkroi Krasniqi.
Në këtë linjë qe shprehur ‘pundit’-i i çështjeve të sigurisë Ramadani, duke e çuar frazeologjikisht aq larg krahasimin referuar Xhelal Sveçlës se as “Ministri ‘amanetxhi për kufirin’ nuk do të kap më brushën e të inspektojë Urën e Ibrit”.
Për Ramadanin, krejt kjo peshë e transformimit graviton te vizita e Burns-it. E ky i fundit, sipas tij, do të ishte zanafilla e këtij shndërrimi.
“Pra, ‘mos luani me zjarr’, ‘siguria nuk është popullizëm’, ‘mbështetuni plotësisht tek SHBA’, ‘kryeni detyrat e shtëpisë’, ‘me trupat tona ju mbrojmë ekzistencën} besoj unë janë fjali që kanë përbërë apo nënkuptuar mesazhin kryesor në Kosovë”, pati thënë Ramadani në një intervistë me gazetarin e Nacionales, Muhamet Koci.
Heshtja më e madhe vërehet te kryelajmëtarët e hapjes për fakt të kryer të Urës së Ibrit: Dejona Mihali dhe Mefail Bajqinovci.
A ndërruan hesapet pas vizitës së Burns?
Aktualisht “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit, rezonoi deklarata e fortë e ambasadorit gjerman Jorn Rohde.
Ky konstatim i prerë i Rohdes u tha në fjalë të zhveshura nga zhargoni diplomatik dhe përzbutjet kuptimore të zakonshme të diplomatëve.
Këto oktava dukshëm më të larta në deklarime publike erdhën vetën dy ditë pas zbarkimit në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë të shefit të CIA-s, William Burns.
Duke folur sot për RTK-në, Rohde iu referua “shqetësimeve të sigurisë” që burojnë nga hapja tjesht-ashtu e Urës së Ibrit – e dhënë për “çështje të mbyllur, vendim të marrë” nga qeveria kosovare.
“Për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë”, u shpreh Jorn Rohde, i cili një ditë më parë edhe u prit në takim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen”.
“Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai.
Rohde e dha hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve si një proces (ri)vlerësimi mes Qeverisë së Kosovës dhe hisedarëve të sigurisë, KFOR-it dhe atyre politik, QUINT-it.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, konstatoi Rohde.